Numri i armëve bërthamore të fuqive botërore është zvogëluar vitin e kaluar, mirëpo reduktimet tjera në të ardhmen nuk janë të sigurta për shkak të “dallimeve politike dhe atyre ushtarake” mes Moskës dhe Uashingtonit, ka thënë Instituti Ndërkombëtar i Paqes në Stokholm (SIPRI).
Ky Institut ka thënë në raportin e tij vjetor, të publikuar më 17 qershor se në fillim të vitit 2019, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe shtatë kombe tjera kanë pasur rreth 13,865 armë bërthamore.
Një shifër e tillë ka treguar për një rënie të numrit të armëve, në krahasim me 14,465 sa kanë qenë më 2018.
Zvogëlimi i numrit të armëve ka ndodhur kryesisht “në Rusi dhe SHBA, të cilat numërojnë rreth 90 për qind të të gjitha armëve bërthamore, dhe të cilat kanë ulur numrin e të ashtuquajturave forca strategjike bërthamore”, përmes zbatimit të Traktatit Fillimi Ri.