(2L ONLINE) – Gjilani ka mposhtur KEK-un për të dytën herë më radhë për më pak se një javë. Skuadra e drejtuara nga Musa Selimi ka rrëzuar nga garat e DigitAlb Kupës, elektricistët e KEK-ut duke i mposhtur në udhëtim me shifrat 3:1.
Gjilani nuk ka të ndalur. Fitorja në fundjavë ndaj KEK-ut në garat kampionale ishte mesazh i qartë që gjilanasit kanë apetit të madh këtë sezonë për të luftuar në dy frontet. Krahas rikthimit në elitë, Gjilani tani vazhdon misionin edhe në DigitAlb Kupë, pasi ka mposhtur sërish skuadrën e KEK-ut në Obiliq me rezultat 3:1.
Kualifikimi për në fazën tjetër është një tjetër motivim që Gjilani që këtë sezon ka treguar se është në një rang me të gjitha skuadrat elitare ani pse ndodhet një kategori më poshtë. Kështu u shpreh pas ndeshjes trajneri i kësaj skuadre Musa Selimi.
“Mendoj që Gjilani ka pasur një performancë konstante edhe në kampionat gjë të cilën e dëshmuam edhe sot e dëshmuam. Krijuam shumë raste dhe me angazhim maksimal të lojtarëve në fund ia dolëm të triumfojmë. Kemi lojtar shumë të dalluar në mesin tonë siç është fjala për Vllaznim Jasharin një lojtar kualitativ i cili e ka dëshmuar vetën në kampionat dhe po vazhdon me formën e tij të lartë, por në përgjithësi jam i kënaqur me angazhimin e secilit prej tyre”.
I pyetur për një përballje të mundshme në rrethin tjetër të Kupës, me rivalin lokal Dritën, Selimi tha:
“Me kënaqësinë më të madhe. Ballafaqimi i këtyre dy klubeve gjithmonë sjell spektakël dhe një përballje e mundshme do të ishte kënaqësi e veçant”, përfundoi Selimi.
pjesa e parë e lojës u diktua nga vendasit ndërkohë mundësinë më të mirë për të kaluar në epërsi e patën miqtë përmes Jasharit nga penaltia. I njëjti futbollist u faullua brenda zonës nga Preniqi në minutën e 20 dhe gjyqtari autoritativ Besfort Kosumi akordon penaltinë. Përgjegjësinë për të goditur e merr vetë Jashari i cili e humb betejën me Llugaxhiun pasi gardiani vendas pret penaltinë.
Me të filluar 45 minutëshi i dytë i lojës, gjilanasit marrin lojën nën kontroll. Rastin e parë për të realizuar e ka Filonit Shaqiri i cili gjuan nga një distancë e largët por gjuajtja e mesfushorit u ndal nga Llugaxhiu i cili e devijon topin në fundore.
Nuk do të vononin shumë dhe bardh e kuqtë do të gjenin golin e aq shumë kërkuar. Kur po zhvillohej minuta e 65 e ndeshjes, Jashari vendos edhe njëherë të depërtojë brenda zonës dhe sërish ishte i pakapshëm për mbrojtjen vendase gjuan saktë drejt portës së Llugaxhiut dhe e mposhtë atë për herë të parë në ndeshje në tentimin e tij të dytë.
Ende pa u rehatuar mirë nga goli i parë, Gjilani gjen golin sërish me protagonist të sërishëm Jasharin.
Sulmuesi gjuan nga një distancë e largët duke e përplasur topin drejt rrjetës së Llugaxhiut për tu dhuruar të pranishmëve një super gol të vërtetë dhe 0:2.
Hat-trikun e parë këtë sezon Jashari ka mundur ta gjejë në minutën e 74 dhe 76 por shtylla ia mohoi golin deri sa në rastin e fundit ka përfituar Mustafa që topin e kthyer nga shtylla e ka plasuar në rrjetë për ti dhënë fund dilemës së fituesit.
Krejt çka bënë vendasit nga ky takim ishte ngushtimi i epërsisë përmes Egzon Kurteshit që realizon në minutën e 88.
Eleminimin nga DigitAlb Kupa nuk e priti aspak mirë trajneri i elektricistëve, Mentor Miftari.
“Jam shumë kritik ndaj futbollistëve të mi, un nuk mund të drejtoj një skuadër që nuk mund ti përballojë 90 minuta dhe që nuk i paguan futbollistët e saj’’, përfundoi Miftari.
Kek-u – Gjilani 1:3
Stadiumi: “Agron Rama” në Obiliq
Shikues: 100
Gjyqtarë: Besfort Kosumi, Lumturie Muhadri, Alban Ejupi
KV: Behrami
Kek-u: Llugaxhiu, Visoka, Preniqi, Hashani, Berisha, Graqevci (Mashuka), Ademi, Kurteshi, Behrami, Xhakalia (Thaqi), Simnica. Trajner: Miftar Rama.
Gjilani: Maloku, Hyseni, Arifi, Maliqi, Kosumi, Mustafa, Shaqiri, Sermaxhaj (Maloku), Blakqorri (Morina), Jashari (Marovci), Ferati. Trajner: Musa Selimi.
/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/
/fotoarkivi/