Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan, Kushtrim Zeqiri ka bërë me dije se është pritur ngrohtësisht në Ambasadën e Bullgarisë në Kosovës, nga ambasadori bullgar, z. Hristo Gudjev.
Nga ky takim miqësor e përmbajtjesor, bëhet e ditur se Komuna do të përfitojë një donacion në tableta të mençura për lexim “Kindle” në vlerë prej 25 mijë euro për Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”, pasi, siç ka bërë me dije drejtori Zeqiri, është nënshkruar edhe marrëveshja e financimit për projektin në fjalë, për çka ai ka falënderuar ambasadorin Gudjev.
Drejtori Zeqiri e ka vlerësuar këtë mbështetje që do të bëhet për Bibliotekën e qytetit sepse, në rend të parë, nga kjo do të përfitojnë studentët dhe nxënësit, që frekuentojnë në numër të madh bibliotekën e qytetit.
Drejtori Zeqiri tha se e ka shprehur mirënjohjen e tij për ambasadorin Gudjev, për këtë mbështetje, për të treguar gatishmërinë e plotë për bashkëpunim edhe në të ardhëm, sepse komuna është e fokusuar që të kontribuojë për të mirën e gjithë qytetarëve, e veçmas për avancimin e kushteve për studentë e nxënës gjilanas e më gjerë. /2LONLINE/