Duke e vijuar një traditë të kahershme, edhe sivjet Biblioteka ‘Fan Noli’ në Gjilan, ka shpallur lexuesit e dalluar të vitit, në një ceremoni të organizuar në kuadër të shënimit të 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë, ku ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni.
‘Është nder dhe respekt që në prag të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës të shpallim ata që me përkushtim e me dashuri të madhe vijnë në bibliotekë për të lexuar libra’, ka thënë kryetari Hyseni.
Për më tepër, ai tha se bibliotekën e viziton shpesh edhe vetë ai, edhe për të lexuar, por edhe për shprehur mbështetjen e Komunës ndaj këtij institucioni.
‘Me rëndësi për mua si kryetar Komune dhe për ne si qeverisje, është që t`ju tregojmë përkushtimin që kemi ndaj bibliotekës, si shtëpi e dijes dhe e të ardhmes”, ka thënë ai.
Kryetari Hyseni ka falënderuar stafin e bibliotekës për punën, përkushtimin dhe shërbimin e mirë dhe të jashtëzakonshëm që japin për lexuesit.
Përndryshe, lexues të dalluar janë shpallur: Tuana Shabani, Arbana Musliu, Rina Miftari, Bujar Shabani si dhe është nderuar me mirënjohje shkolla ‘Agim Ramadani’ në Zhegër.
Mirënjohjet, atyre ua ka dorëzuar kryetari Hyseni. /2LONLINE/