Në vigjilje të shpallje të 13-vjetorit të pavarësisë, Biblioteka e Gjilanit “Fan S. Noli”, ka shpallur lexuesit e dalluar për vitin 2020, dy studentë dhe dy nxënës.
Mifeta Buhiqi, nxënëse (sektori për fëmijë), Embarë Hasani nxënëse (biblioteka e fshatit Pogragjë), Flaviana Halili, studente (sektori për të rritur) dhe Taulant Osmani, student (sektori shkencor), janë shpërblyer me mirënjohje, si lexuesit më të dalluar të vitit që e lamë pas.
Drejtoresha e Kulturës, Deniza Limani, pasi i uroi lexuesit e vitit, tha se viti 2020 kishte rënie drastike të lexuesve për shkak të situatës së pandemisë.
“I përgëzoj lexuesit për mirënjohjet e merituara. I falënderoj stafin e Bibliotekës që duke iu përshtatur kushteve të pandemisë, kanë bërë që hapësirat këtu të jenë të rregulluara sipas kërkesave të Komitetit emergjent”, tha Limani.
Drejtori i Bibliotekës “Fan S. Noli”, Qazim Azizi, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2020 janë rexhistruar 3009 anëtarë ose 1051 anëtarë më pak krahasuar me vitin 2019.
Ai theksoi se gjatë vitit 2020 janë huazuar afro 10 mijë libra, që është shifër dukshëm më e vogël krahasuar me vitin 2019 me mbi 36 mijë libra të huazuara.
Azizi tha se si pasojë e pandemisë, Biblioteka “Fan S. Noli” në Gjilan ka humbur 500 anëtarë lexues të përhershëm në vitin 2020. /2LONLINE.com/