Fjala e deputetit besnik Buslimi Besnik Bislimi në emër të Grupit Parlamentar, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
“Sot po diskutojmë në lexim të parë projektligjin për buxhetin e vitit 2015, të cilin qeveria Thaçi 2 e ka përgatitur për qeverinë e tanishme. Po diskutojmë për një dokument të përgatitur në nguti dhe pa pikë serioziteti, por të cilit qeveria e tanishme në mënyrë unanime vendosi të mos ia heq as edhe një shkronjë të vetme. Qeveria ia dorëzoi projektligjin parlamentit për diskutim dhe aprovim, por pa e pa të nevojshme që vetë të merret seriozisht me të. Madje madje, besoj fuqishëm se shumica dërmuese e kabinetit qeveritar nuk e ka bërë mundin as t’i hedh një sy as ligjit e as tabelave buxhetore. Në këtë shumicë kam drojë se hyjnë edhe vetë Ministri i Financave, z. Hoti e edhe kryeministri, z. Mustafa.
I nderuari kabinet qeveritar, keni dërguar në parlament dokumentin më të rëndësishëm që pasqyron jo vetëm orientimet e juaja, por edhe vendosmërinë apo gatishmërinë për t’i realizuar ato. Keni dorëzuar dokumentin që na tregon se si do të shpenzohet gjithë paraja publike edhe atë në disa raste edhe përtej vitit 2015, dhe e keni bërë këtë me aq nguti, pa kujtuar që ngutia është armiku më i madh i cilësisë. Po silleni më buxhetin e vitit 2015 sikur t’i kishim 365 sosh për secilën ditë nga një, e jo një të vetëm për gjithë vitin. E keni marrë me aq lehtësi punën e buxhetit sikur të kishim nga një buxhet për secilin qytetar të Kosovës e jo një të vetëm për të gjithë ne.
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, para se të përgatisë diskutimin tim jam marrë vetëm tri orë me projektligjin për buxhetin dhe me tabelat buxhetore. Kam përshtypjen se vendimi juaj do të kishte qenë krejtësisht ndryshe sikur edhe ju të kishit shpenzuar vetëm tri orë të kohës suaj të çmueshme me këtë ligj dhe këto tabela.
Të nderuara deputete dhe deputetë, paramendoni sikur Kryeministri dhe Ministri i Financave të kishin marrë mundin dhe ta lexonin shpejt e shpejt Ligjin për Buxhetin. Me siguri se do kishin vërejtur shumë mangësi në të dhe nuk do kishin lejuar procedimin e tij për diskutim në parlament. Ata do të kishin vërejtur që në start se, për shembull:
1. Radhitja e termave të përdorur në ligj është krejt e pakuptimtë dhe nuk është normale për një ligj që është përgatitur dhe finalizuar në gjuhën shqipe, dhe për rrjedhojë do kishin kërkuar ndryshimin e saj;
2. Se pika 2 e nenit 5 që i shndërron në të hyra të përgjithshme të gjitha të hyrat vetanake të pashpenzuara të organizatave buxhetore të nivelit qendror është shumë demotivuese dhe mund të ketë ndikim negativ në performancën e këtyre organizatave. Po ashtu do të vërenin se një logjikë krejt e kundërt aplikohet për agjencionet e pavarura të cilave mjetet e pashfrytëzuara thjesht u barten në vitin vijues;
3. Se në pikën 2 të nenit 9 thuhet që për një periudhë trevjeçare mediumit propagandastik dhe dezinformues publik, RTK-së, do t’i ndahen 0.7% e buxhetit. Kjo do t’i çmendte të dy sepse do të vërenin se periudha trevjeçare nuk ka as moment startues e as përfundues, por edhe do të vërenin se me paratë e taksapaguesve ndanë shtatë herë më shumë për RTK-në se sa për të gjitha aktivitetet në hulumtime dhe inovacione. E shume më shumë se sa mjetet e ndara për bursa të studentëve;
4. Do të vërenin se në pikën 3 të nenit 9 kërkohet që të gjitha mjetet e grumbulluara të pasqyrohen në tabelat buxhetore, përfshirë këtu edhe mjetet e grumbulluara në pikat doganore në veri të Kosovës, e të cilat pastaj do të derdheshin në fondin e mirëbesimit, por që dokumenti i tyre nuk përmban asnjë informatë për shumat që pritet të derdhen në këtë fond gjatë këtij viti, dhe shumat e derdhura në vitin paraprak, duke shkelur me dy këmbë si principin e transparencës ashtu edhe të gjithpërfshirjes;
5. Do të vërenin se në pikën 3 të nenit 10 ende dhe vit për vit kopjohet me kokëfortësi dhe injorancë një provizion i vitit 2011 ku precizohet se kush përfiton e kush jo nga rritja e pagave për 30% e qeverisë së Kosovës nga fushata zgjedhore e vitit 2010, dhe do të kishin kërkuar përgjegjësi të menjëhershme nga ata që kanë toleruar një absurd të tillë.
Të nderuar deputetë, armiku më i madh i cilësisë mbetet ngutia.
Paramendoni të nderuara deputete dhe deputetë sikur Kryeministri dhe Ministri i Financave të kishin shpenzuar disa minuta në leximin e tabelave buxhetore. Do kishin mundur edhe një herë të binden se a janë të vërteta pohimet e tyre të përvitshme se qeveria Thaçi në kontinuitet ka privilegjuar me investime kapitale komunat e udhëhequra nga PDK dhe ka injoruar në tërësi ato të udhëhequra nga LDK, dhe menjëherë do e kishte stopuar këtë politikë diskriminuese. Meqë nuk e kanë stopuar, del se kanë manipuluar sa herë e kanë akuzuar qeverinë Thaçi 2.
Po të kishin lexuar vetëm tabelat me indikatorët kryesor do ta kishin vërejtur, si ekspertë të ekonomisë që janë, se parashikimet për vitin 2015 sa i përket përformancës së ekonomisë janë krejtësisht të pabazuara dhe shumë të ndryshme nga ato të FMN-së dhe Bankës Botërore. Njësoj siç do kishin vërejtur se numrat e paraqitur nga përpiluesit e tabelave, për Produktin e Brendshëm Bruto për vitin 2014 dhe 2015 nuk përkojnë madje as me përqindjet e prezantuara mbi rritjen ekonomike, por janë numra të diktuar dhe imponuar nga ish ministri i financave.
Do të kishin vërejtur se nuk ka asnjë korelacion mes ndarjeve buxhetore dhe prioriteteve qeveritare, madje as të qeverisë Thaçi 2 e as të qeverisë së tanishme.
Të nderuara deputete dhe deputetë, ngutia mbetet armiku më i madh i cilësisë.
Sikur Kryeministri dhe Ministri i tij i Financave të ishin konsultuar vetëm për 10 minuta me krerët e Administratës Tatimore dhe asaj doganore, do kishin mësuar se rritja e parashikuar e të hyrave në dogana dhe në brendësi të vendit është më tepër se iluzion. Do të mësonin se kjo rritje e madhe është kalkuluar duke marrë si bazë projektimet e vitit 2014 të cilat nuk do të realizohen fatkeqësisht as në masën e 90%. Do të mësonin se më reale do të ishte të parashikojmë më pak të hyra edhe atë për të paktën 150 milionë euro. Do ta kishin shumë të lehtë të numëronin tri apo katër argumente se pse kjo rritje e parashikuar thjeshtë nuk mundet të ndodhë.
Paramendoni të nderuara deputete dhe deputetë sikur Kryeministri i vendit dhe Ministri i tij i Financave, para se të vendosnin për procedimin në Kuvend të projektligjit të pandryshuar, për pak minuta të ishin konsultuar me ndonjë ekspert të ekonomisë për të verifikuar kredibilitetin e projeksioneve mbi rritjen ekonomike, burimet e kësaj rritje dhe performancën e të hyrave buxhetore. Do kishin mësuar se argumenti i përdorur mbi konsumin si burim i rritjes ekonomike falë rritjes së pagave në vitin 2014 është shumë i palogjikshëm, meqë rritja e pagave nuk ka ardhur nga jashtë si variabël ekzogjene, por duke zvogëluar pozicionet tjera të shpenzimeve korente buxhetore. Një politikë e tillë jo që nuk siguron ndonjë ndikim afatgjatë pozitiv në rritjen ekonomike, porse edhe në afat të shkurtër do rezultojë me efekt neto negativ.
Do ju kishin këshilluar se nuk mund të llogarisni në investimet si burim të rritjes ekonomike për vitin 2015 dhe do ju rikujtonin se në vetë tabelat e juaja parashikoni si ulje të ndjeshme të investimeve kapitale në sektorin publik dhe tregoni se si investimet private kanë filluar të bien që nga viti 2013.
Paramendoni të nderuara deputete dhe deputetë sikur kryeministri dhe ministri i tij i financave për një moment të ishin konsultuar me vetveten dhe të rikujtonin deklaratat e veta mbi të njëjtin projekt buxhet që nuk janë më të vjetra se 40 ditë. Dhe do kujtoheshin se na kanë dëshmuar se ky projektbuxhet nuk garanton as rritje ekonomike prej 2.5% dhe kanë premtuar se të njëjtit sapo të vijnë në qeveri do përgatisin një buxhet të ri që do garantojë rritje trefish më të lartë dhe do arrijë shumën prej 2 miliardë. Tash a t’i besojmë atyre deklaratave apo buxhetit që po na prezantojnë sot? Unë them as njërës e as tjetrës.
Paramendoni të nderuara deputete dhe deputetë sikur Kryeministri dhe Ministri i Financave për vetëm pak minuta të kishin konsultuar edhe praktikat e vendeve të rajonit në alokimin e shpenzimeve buxhetore. Për shembull, do kishin vërejtur se në Shqipëri i gjithë buxheti për paga në sektorin publik është më i ulët se shpenzimet e shtetit shqiptar për arsim dhe shëndetësi, dhe nuk do kishin pranuar që i njëjti buxhet në Kosovë të arrijë dyfishin e alokimeve për arsim e shëndetësi.
Paramendoni të nderuara deputete dhe deputetë sikur Kryeministri dhe Ministri i tij i Financave e pse jo edhe i gjithë kabineti të ishin konsultuar vetëm shkarazi rreth projektbuxhetit me miqtë e shumë ndërkombëtarë që i këshillojnë në vazhdimësi. Do kishin mësuar për shumë projekte interesante që këta miq i kanë hasur në versionin anglisht të draftbuxhetit. Për arkëtimin tuaj të nderuar deputetë, por pa e shmangur vëmendjen për asnjë moment nga niveli i seriozitetit të çështjes që po diskutojmë kisha dashtë të listoj disa nga projektet që mund t’i gjeni në versionin anglisht:
1. Asphalting of roads in the Komoranit qytezën
2. Marking vertical and roads horizontal
3. Construction of houses Poor
4. Fixing the infrastructure for people with separate needs through inst.publike
5. Contruksion of road in the village Baice susedstvu Kiqin Lek
6. Labortarike medical diagnostic equipment haematolo
7. Regulat.sports of field .shfmu “Xheva Lladrovci” Vulture
8. Construction of vood and coal “March 7”
Po ashtu do kishin mësuar se projekti kryesor kapital i drejtorisë për bujqësi në Komunën e Fushë Kosovës është Castration of street dogs
Të nderuara deputete dhe deputetë, ka me mijëra mundësi për ta përmirësuar këtë projektbuxhet e me këtë edhe ndikimin e tij në mirëqenien e secilit pre nesh, por vetëm një mundësi për ta bërë të kundërtën. Ky buxhet mund të jetë një mjet shumë i mirë për të përmirësuar jetën tonë, por mjeti i mirë nuk qon peshë kur është në duar të gabuara. Andaj këtu rritet ndjeshëm pesha e vendimit të secilit prej nesh sot. Ne sot do të deklarohemi në princip rreth këtij dokumenti. Përgjigjet janë shumë të shkurta, po ose jo. Por zakonisht janë mu përgjigjet e shkurtra që kërkojnë më së shumti mendim nga secili prej nesh. E kemi shumë të lehtë të themi po dhe mbyllim sytë para këtij buxheti katastrofal. Nëse themi jo, na pret shumë punë për ta përmirësuar atë për aq sa të jetë e mundur. Sot mund të fillojmë me hapin e parë duke votuar kundër këtij projektbuxheti.