Fjala e Besa Baftiut, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, në seancën e Kuvendit të Kosovës lidhur me Projekt-ligjin për Buxhetin 2015.
(2L ONLINE) – Në projektbuxhetin e planifikuar për vitin 2015 vërehet se shëndeti dhe mirëqenia e qytetarit nuk janë prioritet i kësaj qeverisje, ashtu siç nuk ka qenë prioritet edhe e qeverisjes së kaluar. Buxheti i planifikuar për sektorin e shëndetësisë pothuajse është i njëjtë me atë të vitit të kaluar.
Derisa në vitin 2014 në total buxheti për sektorin e shëndetësisë ka qenë 114.707.481 euro, kurse për vitin 2015 është planifikuar të jetë 116.997.668 euro, që do të thotë se është për 2.2 milionë më i lartë, por kjo nuk mjafton duke e ditur gjendjen e rëndën ë shëndetësi.
Shëndetësia është e sëmurë në të gjitha segmentet. Po ashtu, është 2% i GDP-së, që është pakrahasimisht më i ulët se secili vend në Evropë. Nëse shikohet në tërësi buxheti i planifikuar për ministrinë e shëndetësisë, shohim se është vazhdim i centralizimit, pra nuk kemi decentralizim siç është propaganduar nga Ministria e Shëndetësisë). Do t’i jap disa argumente që janë dëshmi e kësaj:
1. Buxheti i planifikuar i Ministrisë së Shëndetësisë është 31.565.088 euro, ndërsa i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar është 85.432.580 euro, ku hyjnë shërbimi dytësor dhe tretësor pra, në fakt është e tërë shëndetësia e Kosovës pa atë primaren që i takon komunave. Planifikimi i buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë për vitet e ardhshme rritet ndërsa për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar zvogëlohet. Me këtë planifikim nuk ka përmirësim të gjendjes në shëndetësi.
2. Centralizimi i investimeve kapitale: Ministria e Shëndetësisë do t’i shpenzojë 8.975.000 euro, përderisa për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar janë planifikuar po aq, pra përafërsisht njëjtë, 9.000.000 euro.
3. Alokimi për mallra dhe shërbime: Ministria e Shëndetësisë për vete ka planifikuar 8.883.000 euro. Pyetja është çfarë mallra dhe shërbime kanë ata krahasuar me Shërbimit Spitalor Klinik Universitar që janë ndarë 25.910.000 euro.)
4. Për odat e profesionistëve shëndetësorë janë planifikuar gjithsej 230.000 euro. Në bazë të ligjit për odat janë 4 oda të profesionistëve shëndetësorë. Paramendoni si mund të zhvillohen dhe të pavarësohen këto oda me këtë buxhet kur ai ndahet në katër pjesë.
5. Një çështje tjetër që mund të diskutohet është buxheti i paraparë për performancë, 1.049.817 euro. Këto të holla këtë vit sa unë kam njohuri janë shpërndarë për paga të specializantëve dhe shumë pak për performancë. Pra nuk janë shpenzuar për çka kanë qenë të dedikuara. Unë i bëj pyetje Ministrit se si e kanë planifikuar që t’i paguajnë këta mjekë që janë në specializim?
Ndërsa sa i përket sigurimeve shëndetësore e dimë se nga ministri i shëndetësisë së qeverisë së kaluar është premtuar se do të fillojnë të implementohet në janar të vitit 2015, e me këtë planifikim të buxhetit vështirë se do të realizohet kjo edhe në 2-3 vitet e ardhshme.
Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon që të rritet buxheti për shëndetësi sepse kjo shkon në të mirë të shëndetit të qytetarëve, si dhe në favor të punëtorëve shëndetësor. Po ashtu kursehen edhe qindra mijëra euro që po jepen për shërim jashtë vendit.
Shumë herë, të nderuar kabinet qeveritar, edhe nësek eni të holla për shërim jashtë vendit, koha është e artë për të vepruar në raste emergjente. Andaj duhet ta rrisim buxhetin për shëndetësi, në mënyrë që të krijojmë kushte për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që të trajtohen barabarësish në spitalet tona./2L ONLINE/