Lëvizja VETËVENDOSJE! është duke mbajtur sot tubimin elektoral në Gjilan, ku i pranishëm është kryetari Visar Ymeri, deputeti Albin Kurti, deputetja nga ky qytet Besa Baftiu dhe kandidati për kryetar komune i Gjilanit, Sami Kurteshi.
Në fillim të këtij tubimi, Besa Baftiu, e cila është edhe kryetare e qendrës së VV-së në Gjilan, tha se data 22 tetor do të jetë fitorja e dytë e madhe për Gjlanin, VV-në dhe gjithë Kosovën. Ajo u shpreh e bindur për fitoren e Sami Kurteshit.
“Këtë fitore të Vetëvendosje!-s po e presim me padurim sepse jemi lodhur nga keqqeverisjet tash e 18 vite në komunën tonë, e që ranë në kurriz të secilit qytetar të ndershëm të komunës tonë. Për këto 18 vite, Gjilani pësoi degradimin dhe izolimin më të madh ekonomik. Gjilani nga një qytet me industri dhe fabrika, u shnëdrrua në një qytet të kafiterive, qendra të konsumit”, tha ndër të tjera deputetja Baftiu.
Ajo shtoi se Gjilani sot vuan nga mungesa e arsimit cilësor, shërbimeve jokualitative shëndetësore, shërbimeve joefikase në administratën publike e punësimeve vetëm me libreza partiake .
“Të gjitha subjektet që kanë qeverisur në Gjilan, i fituan votat për t’i përmisuar pikërisht këto shërbime, por asnjëra prej tyre nuk përmirësoi jetën e qytetarëve të komunës sonë. Prandaj, duhet dhënë fund logjikës së qeverisjes përmes mashtrimeve, premtimeve të kota, korrupsionit dhe demagogjise”, shtoi po ashtu deputetja Baftiu.
Tutje, ajo tha se Sami Kurteshi është kandidati më i mirë për Gjilanin duke potencuar se premtimet dhe zotimet e tij dhe ekipit të tij janë premtime të realizueshme dhe të zbatueshme.
Sponsorizuar nga Vetëvendosje