/2L ONLINE/ – Komiteti për Barazi Gjinore (KBGJ), në kuadër të aktiviteteve të veta të rregullta, në funksion të afirmimit të barazisë gjinore, është dakorduar për organizimin e një tryeze, më 14 tetor, me temë “edukimi i nxënësve për barazinë gjinore”, ndërkohë që më 7 tetor do të bëjë një vizitë në maternitetin e Gjilanit, ku me lehona, mami e mjekë do të bisedohet rreth çështjeve gjinore.
Gjylshene Berishe, kryesuese e KBGJ, ka thënë se në shoqërinë tonë flitet shumë për barazi gjinore, por në realitet punohet pak. “Për barazi gjinore duhet të flitet njëzet vjet para lindjes së një fëmije, derisa edukimi i tyre duhet të fillojë që nga lodrat, të cilat nuk duhet të jenë të ndara sipas gjinisë”, ka thënë Berisha.
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës shprehet e zhgënjyer me realitetin në Kosovë, ku ndodh që fëmijëve të gjinisë femërore t`i mohohet e drejta e lindjes, ndërsa fëmijët e gjinisë mashkullore priten edhe me daulle në oborre te spitaleve.
“Lindja e një fëmijë duhet të jetë gëzim në familje, pavarësisht gjinisë që ka”, ka thënë Berisha.
Duke kërkuar të mos paragjykohet gjinia i një fëmijë para lindjes, ajo ka thënë se edhe një vajzë mund të jetë shkencëtare që nesër mund ta shpëtojë botën.
Idesë së saj për t`i diskutuar këto çështje në një tryezë, i kanë dhënë përkrahje anëtarët e KBGJ, Sabri Rexhepi, Gjyzide Ismajli dhe të tjerë, sikurse edhe zyrtarja për barazi gjinore, Linda Salihu, e cila sapo është zgjedhur në këtë pozitë si dhe Liridona Ukshini-Kosumi nga Drejtoria e Arsimit.
Njëherësh, Berisha ka përgëzuar zyrtaren e re për barazi gjinore dhe i ka ofruar asaj bashkëpunimin e Komitetit, sikurse e ka mirëpritur edhe emërimin e një femre, Shqipe Kastrati, në krye të Drejtorisë së Arsimit, me shpresë se në të ardhmen numri i femrave në ekzekutiv dhe vendimmarrje, do të rriet më shumë./2L ONLINE/