Beqir Musliu – SKËNDERBEU

Beqir Musliu – SKËNDERBEU

Beqir Musliu

S K Ë N D E R B E U

( poemë – magjistrali )

Gjuha e shkri në diell si fjala ‘pëshertima
E gurit të fortë në dashni emën i kish dhënë
Rrugës së shtruar me trëndafila e shkreptima
Gjakun për ta ruajtë bashkë meshqipen Nanë

Kalanë mbi andërr e çelën vetëm andrrat e veta
At’botë kur shqiponjat sollën gëzim dhe dritë
Së bashku me malësorët e kunorëzuen ndër shkrepa
Të madhnuem me kohën e Arbërit mbetën historitë

Rrugës së lavdisë kush i doli mbanë aq krenar
I madh në dashni dhe i patundun në shpresë
O vetëm shqipja që fërfëlloi flatrat në zjarr

Tash me të urtin Promete u zgjua në histori
I bani të lirë e të oastër të lidhun në besë
Tanë Ballkanin e madhnoi me Bijtë e tu Arbën

E P I L O G

NË TROLLIN e lashtë e të madhnuem të Arbërisë
Askush nuk pati aq fuqi sa me shkimë zjarrin –
Por, ajo në verën e vet e çeli lulen e barin
Me përjetue aq të pastër Parajsën e Bukurisë.

Por … – deri te Troja e re, e quajtun: Iliri
Edhe shpata e vuejti n’dhimbje historinë e vet
Para dashnisë secili u kthy’ n’gërmadhë, mbet –
Legjendë mbi fatosat që u flijuen për Liri!

Kumbonat e trandën bjeshkën në ankth e kumbim,
Deri në gjelbrimin e pranverës së zezë n’ar –
Kangëtarët e rinj i nxorrën lahutat për këndim.

Me na shpie në nji kohë që na duhet me e dashtë –
Për të cilin lulja n’ballsamim u zgjue me na varë
Aty, ku shqipja e pavdekëson Skënderbeun e lashtë !

( P O S T S C R I P T U M )

DIKUR edhe djajtë shitoheshin n’zili me hovin tand
– Edhe tokës me të grishë n’emën i vinte randë.
Fusha shkretnohej, e lumi rridhte në atë pik’llim
Nuk lindte kanga, as lahuta s’binte n’tërbim –
Kur vorrimi yt i shejtë u ba mbi këtë Dhe
N’gojë u ngrinë klithmat për ty, o Skënderbe
Dhe të uruen si shejtnitë – Prometheu me qenë
Me ujitë me gjakuntand djersën e me vesë lulen
Me mbjellë synin tand si ma t’mirën dritë n’male
Aty, ku trimninë dhe krenarinë bjeshkëve ua fale!
Tash po jeton edhe aty ku s’kanë dijtë me të dashtë
Mbi shkrepa je ngritë si petrit me shpatën e lashtë –
Aty, ku dikur ashti yt shëronte o çdo plagë e varrë
Që mbajte tanë Ballkanin për emnin tand, o varë …
Tash – të grish me zbritë edhe shqipja në kreshtë
Katundari në mal, e blerimi me të pasë edhe n’vjeshtë.
Bjeshkët me ty me u krenue në pikëllime e n’hare –
Kur ti ende jeton madhështor mbi ne, o Skënderbe !
Lulet tue u rritë edhe nëpër çdo saksi e n’dritare –
Dielli tue të ngrohë në Krujë, Lezhë, në tokën kosovare !
Gjithkund kanë klithë e kanë brohoritë: “O, Skënderbe –
Ti që na shpëtove, ti që na ktheve votër e A t d h e ! ”
Kalatë u ngritën për hir tandanin deri n’qiell e n’naltësi –
Me mbrojtë qetësinë tande me shqipen të lirë n’malësi

Tash je shtri dhe po rrin mu aty ku s’të harruem
– Në tokën që për ty, përherë ka klithë dhe pa le
Aty, ku edhe gurët kanë hapë gjuhët, o Skënderbe –
Aty, ku si perëndi, e shenjt t’Madh t’dashunuem !
Aty, ku lulet thaheshin n’brymë me vesën si ar –
Të mban të gjallë ndër kohë e mote çdo shqiptar !

Po të shohim t’gjallë pranë luleve në nji, o, Kumbonë
Flakën në hinin e gjallë tue ndezë përsëri me flakë –
Tue lindë prapë vigab si lulja e re mbi saksi e gjak –
Tash me emnin tand po e shërojmë edhe sëmundjen tonë !

( GJILAN – PRISHTINË, 1963 – 1968 )

KOMENTE