(2LONLINE) – “Youth Reconciliation Ambassadors” (Ambasadorët e Rinj të Pajtimit) quhet seminari i organizuar nga organizata serbe “Youth Education Committee” (Komiteti i Edukimit të të Rinjve) dhe i sponzoruar nga Ambasada Britanike në Beograd.
Në konferencën e mbajtur në Beograd, morën pjesë 20 pjesëmarrës nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Serbia. Nga Kosova morën pjesë 5 të rinj, 2 prej të cilëve nga Gjilani.
Konferenca pati një agjendë të ngjeshur 4 ditëshe. Në kuadër të programit pati takime zyrtare me Ministrin e Integrimit Europian të Serbisë Branko Ružić, zv. Kryeparlamentarin Žarko Korać, Delegatin e Bashkimit Europian në Serbi Michael Devenport, Ambasadorin e Kroacisë në Beograd Gordan Markotić, e shumë takime tjera.
Mejdi Sadiku, Ambasador nga Gjilani tha se ishte një vizitë shumë e mirë, prej së cilës mësuan shumë në pajtim regjional. “Patëm vizita të ndryshme zyrtare e ligjërata të rëndësishme në lidhje me krime lufte, gjenocid, pajtim regjional, të drejtat e njeriut, integrime europiane etj”, tha Sadiku.
“Mbi të gjitha krijuam lidhje të ndryshme me të rinj nga Ballkani me të cilët ky nuk do te jetë bashkëpunimi i fundit, por do të vazhdojmë të bashkëpunojmë. Kemi një plan të gjerë si do të bashkëpunojmë për pajtim regjional, por le të mbetet kjo një surprizë për të gjithë deri sa të realizohet ideja”, shtoi Sadiku.
Ndërkaq, Liza Gashi, Ambasadore tjetër nga Gjilani tha: “Vizita studimore në Beograd ishte një mundësi shumë e mirë për të shkëmbyer ide dhe eksperienca të ndryshme me të rinjtë tjerë nga regjioni”.
“Poashtu gjatë kësaj vizite ne patëm mundësi të analizojmë të kaluarën nga këndvështrimet e ndryshme dhe të diskutojmë të ardhmen e Ballkanit në Bashkimin Europian dhe çka ne të rinjtë mund të ndihmojmë në këtë proces”, përfundoi Gashi. /2lonline/