Rreziku nga fitorja e kandidatit shqiptar për kryetar të veriut të Mitrovicës në zgjedhjet e 3 nëntorit, mund ta ketë shtyrë Beogradin zyrtar që të përdorë strukturat ilegale nga Serbia të cilat ishin futur ato ditë në veri, për t’i ndërprerë dhunshëm votimet në 3 qendrat kryesore në këtë qytet.
Kështu thonë burime të gazetës Tribuna, duke u thirrur në informacionet që i kanë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë. Sipas tyre, Beogradi kishte informacion të saktë për hyrjen e serbëve të dyshimtë në Kosovë në prag të ditës së zgjedhjeve, por për këtë nuk i kishte informuar forcat e EULEX-it që po kujdeseshin për sigurinë e vendvotimeve dhe qendrave të votimit.
Dalja e ulët e serbëve në zgjedhjet për Mitrovicën veriore, thuhet se kishte frikësuar dhe shqetësuar shumë qeverinë serbe e cila kishte lejuar që të ndodhnin ato skena në shkollën “Sveti Sava” dhe në dy qendrat tjera, të cilat do të shkojnë në rivotim këtë të diel më 17 nëntor. Në bazë të rezultateve pa këto tri qendra të votimit, printe kandidati shqiptar Agim Deva, kurse pas tij ishte Adriana Hoxhiq, nga komuniteti boshnjak.
Por, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të arritur në dialogun Prishtinë-Beograd, jo vetëm Serbia, por edhe Bashkimi Evropian si dhe Kosova, ishin pajtuar në një mënyrë që pushtetin lokal në 10 komunat me shumicë serbe ta merrte komuniteti serb.