Trajneri, Bekim Isufi ka dhënë dorëheqje të parevokushme nga posti i kryetrajnerit të FC Ferizajt. Tekniku gjilanas e konfirmoi këtë informacion pas ndeshjes ndaj Feronikelit, ndërkohë që thotë se vendimin e kishte marrë qysh më herët.
“Për hir të korrektësisë nuk kam dashur që të largohem përpara ndeshjes, pasi që nuk kam dashur ti lë vetë futbollistët, përndryshe unë nuk mund të vazhdoj me këtë gjendje dhe këtë e dijnë shumë mirë drejtuesit e klubit”, deklaroi Isufi pas ndeshjes ndaj Feronikelit.
Isufi më tej tha se gjendja në klubin e Ferizajt nuk është aspak e mirë dhe këtë e dijnë më së miri drejtusit e klubit, pse ata janë në këtë pozitë.
“Edhe po mos të isha në krye të skuadrës, sinqerisht nuk e di se si Ferizaj ka ardhur në këtë gjendje. I kam paralajmëruar vazhdimisht, por gjërat asnjëherë nuk kanë ndryshuar. Na kanë ikur shtatë futbollistë dhe i kemi transferuar vetëm dy. Kjo situatë nuk ka koment, vetëm drejtuesit e klubit dijnë ta sqarojnë më së miri këtë situatë”, shtoi ndër të tjerash Isufi.