Diplomatët në BE thonë se janë të vetëdijshëm nga përvoja e hidhur e zgjedhjeve të vitit 2010 dhe me përvojën e mirë nga zgjedhjet e fundit lokale, prandaj presin që zgjedhjet parlamentare të kalojnë pa mashtrime.
Por, ende nuk e kanë të qartë se cili trup ndërkombëtar do të duhej të konfirmonte rregullsinë e zgjedhjeve, shkruan sot Koha Ditore. Që tani kanë filluar konsultimet që të formohet një mision i BE-së për të vëzhguar këto zgjedhje, porse kjo duhet të bëhet me ftesë të autoriteteve të Kosovës.
Pas zgjedhjeve të vitit 2010, Bashkimi Evropian pati një qëndrim jo unik rreth mirëvajtjes së zgjedhjeve në Kosovë. E interesuar më së shumti për gatishmërinë e Kosovës për të hyrë në dialog me Serbinë, me qëndrim atëherë të qartë se “kryeministri Thaçi është njeriu më i duhur për kompromise“, nga Zyra e përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton, hezituan të pranojnë faktet nga terreni se në ato zgjedhje ka pasur jo vetëm parregullsi, por edhe mashtrime. Në deklaratat e Zyrës së zonjës Ashton bëhej thirrje që “të formohet sa më parë qeveria dhe të nisë sa më parë dialogu me Beogradin“.
Për ta mjaftonte se në ato zgjedhje nuk ka pasur gjakderdhje, dhe për standarde evropiane thoshin: “Nga Kosova ne nuk presim standarde aq të larta“.