Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, i cili e njoftoi Presidenten me vendimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Catherine Ashton, për të dërguar mision vëzhgues të BE-së për të monitoruar zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në vend.
Vendimi i Baroneshës Ashton vjen si përgjigje në letrën e dërguar nga Presidentja me kërkesën që BE-ja të monitorojë zgjedhjet e 8 qershorit, me qëllim të sigurimit të një procesi demokratik dhe korrekt zgjedhor në tërë Kosovën.
Zbogar e njoftoi Presidenten se në përgjigjen e zonjës Ashton theksohet se një mision i BE-së, i ngjashëm me misionin e vëzhguesve që ka përcjellë zgjedhjet komunale të vitit të kaluar, do të dërgohet në Kosovë për të vëzhguar procesin zgjedhor.
“Presidentja Jahjaga e vlerësoi përgjigjen pozitive të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, baroneshës Ashton, në kërkesën për vëzhguesit ndërkombëtarë dhe tha se një proces i rregullt dhe i drejtë zgjedhor do të ndihmojë Kosovën në rrugën e integrimeve”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga presidenca.
Presidentja Jahjaga theksoi se zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në vend duhet të jenë të sigurta, të ndershme, demokratike dhe gjithëpërfshirëse ku të gjithë qytetarët do të kenë mundësinë të votojnë në mënyrë të lirë.