Banka Botërore ka prezantuar raportin mbi zhvillimin ekonomik në Evropën Juglindore “Rimëkëmbja e ngadaltë”. Sipas këtij raporti, Kosova parashihet që në vitin 2014, të ketë një rritje ekonomike solide, por e pamjaftueshme për krijimin e vendeve të reja të punës.
Në raportin e Bankës Botërore, pjesa për Kosovën, thuhet se të hyrat buxhetore nuk realizohen sipas planit, por se shpenzimet buxhetore janë shkurtuar. Nga ana tjetër deficiti fiskal mbetet nën kontroll. Për eksportin, BB vlerëson se është rritur në vitin 2013, ndërsa disa importe, kryesisht produkte ushqimore, po zëvendësohen.transmeton RTK.
Nëse vazhdon ky zëvendësim, sipas Agim Demukajt ekonomist i Zyrës së Bankës Botërore në Prishtinë, mund të llogaritet në një rritje prej 3 për qind të ekonomisë, në Kosovë.
“Diçka e tillë është e domosdoshme për Kosovën. Krijimi i një klime më të mirë për thithjen e investimeve, krijimi i një stabiliteti jo vetëm ekonomik fiskal, që është kyç, por edhe një lloj stabiliteti ekonomik do të thosha, i një imazhi pak më të mirë në botë, që investitorët e huaj që kanë ardhur në rajon mos të kenë frikë të vijnë edhe në Kosovë”, ka thanë ai.
Sipas Demukaj të hyrat pritet të shënojnë rënie vitin e ardhshëm, për shkak të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian dhe Marrëveshjes Tregtare me Turqinë. Po ashtu ai ka shpjeguar se buxheti i vitit të ardhshëm është paraparë të rritet për 4 milionë…, mirëpo nëse ka inflacion prej 1.3 për qind, i bie të jetë 1 për qind më i vogël në baza reale.
Sfidat kryesore në vend, sipas këtij raporti ende mbeten papunësia e lartë, mospjesëmarrja në tregun e punës dhe varfëria e lartë, më e larta në rajon. 10.2 % e qytetarëve jetojnë në varfëri ekstreme në konsum. Eksperti i Bankës Botërore, Demukaj, ka vlerësuar se buxheti i Kosovës nuk përkrahë zvogëlimin e varfërisë ekstreme përkundër rritjes së rrogave.
“Qëllimisht e kam përmend se në bazë të dhënave ne që kemi, prej vitit 2008 e deri sot, nuk janë ngritur asnjëherë të ardhurat e skemës sociale, janë ngritë pagat, janë ngritë pensionet, gjithçka tjetër ka pas rritje, por skema sociale nuk ka pas. Për ne ata janë më të rëndësishëm, sepse varfëria ekstreme bën hise pikërisht në atë kategori”, ka thënë Demukaj.
Ndryshe në raport BB, ka vlerësuar se në Kosovë vazhdon varshmëria e lartë nga transferet e jashtme, por sektori financiar është stabil.