Drita ka triumfuar në derbin e javës së 16-të në Superligë, duke shënuar dy gola në shtëpi ndaj Llapit (2:0).
Por, për dallim nga kolegu i tij, trajneri i Llapit, Tahir Batatina nuk është ndarë aspak i kënaqur me lojën dhe jo vetëm me rezultatin.
Tekniku llapjan theksoi pas ndeshjes se gjyqtarët e ndeshjes ndikuan direkt në rezultat, teksa ai e bëri fajtor edhe skuadrën e Dritës.
“Ne e ndëshkuam Dritën. E realizuam një gol të rregullt, por gjyqtarët na anuluan pa të drejtë. Ky është referimi më skandaloz që nga pasluftja në futbollin kosovar. Që nga minuta e parë është vërejtur tendenca e gjyqtarëve për t’i dhënë fitoren skuadrës së Dritës. Jemi dëmtuar rëndë ndaj kundërshtarëve direkt për titull. Në Suharekë na është anuluar një gol i pastër, në Gjilan gjithashtu dhe nëse dikush e ka vendosur se kush do të bëhet kampion përpara kampionatit, atëherë është mirë që të na tregojnë neve të mos mundohemi kot”, deklaroi fillimisht Batatina.
Numri një i Llapit nuk është dorëzuar në garën për titullin kampion, megjithatë thotë se kështu si po shkojnë punët është e pamundur.
“Dhjetë pikë nuk janë shumë, pasi në pyetje janë tri ndeshje, por kështu si po shkon kampionati është e pamundur. Shpresojmë që ky kampionat të shkon mirë deri në fund, pasi kështu si ka filluar do të jetë shumë e vështirë”, deklaroi ai.
Në kuadër të xhiros së fundit të stinorit vjeshtor Llapi do të jetë nikoqir i Flamurtarit.