Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka është pritur në Uashington nga zëvendëssekretarja e Shtetit Amerikan Wendy Ruth Sherman, së bashku me disa drejtorë të tjerë të odave amerikane të Evropës.
Zëvendëssekretarja e Shtetit Amerikan Sherman tha se Departamenti i Shtetit Amerikan ofron asistencë teknike për të gjitha shtetet për krijimin e mekanizmave për filtrimin e investimeve.
Delegacioni ka pasur takim në Capitol Hill me senatorin Thom Thillis, i cili së fundmi ka vizituar edhe Kosovën. Senatori Thillis foli për nevojën e tejkalimit të sfidave politike në Ballkanin Perëndimor, veçmas në Bosnjë e Hercegovinë, derisa theksoi besimin e tij që të gjitha shtetet, përfshirë edhe Kosovën, të bëhen pjesë e nismës për treg të përbashkët rajonal.
Në takimet me zyrtarët e lartë amerikanë është diskutuar për sfidat aktuale ekonomike, siç janë sfidat që lidhen me zinxhirët e furnizimit pas pandemisë COVID19 dhe së fundmi edhe luftës në Ukrainë, inflacionin e përhapur gjithandej, sigurinë e cenuar të ushqimit dhe energjisë, jostabilitetin e bursave dhe praktikat jokonkurruese të Kinës që, po ashtu, ndikojnë në çrregullime të tregjeve. Ishte konkluzion i përbashkët se agresioni rus, i cili është denuar fuqishëm edhe nga rrjeti i odave amerikane të Evropës ka ndikuar në rritjen e unitetit transatlantik, dhe se kjo së bashku me bashkëpunimin e fuqizuar ekonomik, do të lehtësojë edhe sfidat aktuale ekonomike.
Delegacioni është takuar edhe me Diane Farrell, zëvendës nënsekretare e Departamentit të Tregtisë, me ambasadorin Jayme White, zëvendëspërfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Tregti (USTR), si dhe me lidershipin e organizatës APCO Worldwide, përfshirë edhe Jess O’Connel dhe Susan Molinari. /2LONLINE/