Në kuadër të organizimit të aktiviteteve me të rinj, me rastin e përvjetorit të 16-të të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Forumi për Transparencë Parlamentare me mbështetjen e NDI, në kuadër të aktivitetit “Ballë për Ballë me deputetin”, mbajti një takim me nxënës të shkollës “Selami Hallaqi” në Gjilan.
Në këtë takim, deputetja Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, kryetare e Forumit për Transparencë Parlamentare dhe njëkohësisht e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, zhvilloi një bisedë me nxënësit e kësaj shkollë, ku temë kyçe ishte rendi kushtetues mbi të cilin funksionon shteti ynë.
Gjatë këtij takimi, deputetja Kryeziu-Hyseni, foli për organizimin e jetës parlamentare në Kosovës, përgjegjësitë e saj si përfaqësuese e popullit, për sfidat e pozitës që ajo ushtron, si dhe për rëndësinë e legjislacionit në rregullimin e jetës shoqërore në vend.
Në një diskutim interaktiv, nxënësit filloristë parashtruan pyetje dhe shpalosën kërkesat e tyre, të cilat ndërlidheshin si me rolin dhe punën e Kuvendit, ashtu edhe me aspekte të ndryshme të jetës dhe perspektivën për të ardhmen.
Ndërkaq, deputetja Kryeziu-Hyseni, mirëpriti me kënaqësi pyetjet dhe kërkesat e nxënësve, duke u përgjigjur në interesimin e nxënësve. /2LONLINE/