(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i cili po qëndron në Gjermani ka shkruar në profilin e tij në facebook, ndër tjerash edhe atë se nga takimet me bashkëatdhetarë, ata po tregojnë sukses të madh në bizneset e tyre në Gjermani, dhe ka parë gatishmërinë e tyre për të investuar në Komunën e Gjilanit.
Ja postimi i plotë i Hazirit në facebook.
“Me ftesë të CDU-së, së bashku me kryetarin Isa Mustafa, Agim Veliun dhe Teuta Sahaqiun, po vizitojmë Bundestagun gjerman dhe institucionet më të larta shtetërore.
Gjatë kësaj vizite, po zhvillojmë takime shumë intensive në interes të zhvillimeve demokratike dhe për përshpejtimin e perspektivës europiane për Kosovën.
Gjithashtu, takime të shumta kemi pasur edhe me bashkatdhetarët tanë që po tregojnë sukses të madh në bizneset e tyre në Gjermani, e të cilët, duke e parë klimën e mirë të krijuar në Komunën e Gjilanit, janë shprehur shumë të interesuar që të investojnë në sektore të ndryshme dhe në këtë mënyrë do të merr hov zhvillimi ekonomik”. LH