Njohësi i çështjeve kushtetues, Mazllum Baraliu, thotë se në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet vazhdimi i mandatit për komunitetet. Sipas tij, votimi pro kësaj çështjeje mund ta rrezikojë seriozisht funksionimin e shtetit.
“Jo nuk duhet lejuar, për arsye se do të ishte privilegj dhe favorizim i tepruar për pakicat dhe i dëmshëm për shumicën. Po ashtu do të ishte në kundërshtim me orientimet kushtetuese, për arsye se çështja e vendeve të rezervuara është përmbyllur me përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur”, ka thënë Baraliu.
Në një intervistë për Tribunën, Baraliu vlerëson se lejimi i vazhdimit të mandateve të rezervuara shumë lehtë mund të ndikojë që pas zgjedhjeve të ardhshme nacionale të themelohet një Qeveri e pakicës e cila do t’i përmbyste të arriturat e deritanishme në vend.
“Mund të vijë partia e cila po dirigjohet nga Beogradi, e cila mund të jetë partia e dytë ose e treta dhe të bëjë koalicion me ndonjë parti tjetër dhe të përmbysë shumë të arritura duke mos përjashtuar as përmbytjen e kushtetutës”, ka thënë ai. Baraliu ka kërkuar nga përfaqësuesit e Kosovës që të kenë parasysh interesin e qytetarëve shumicë, para se të merren me interesin e qytetarëve pakicë.