Javën e 16-të në Superligë e ka hapur super përballja mes dy klubeve lidere, Ballkanit dhe SC Gjilanit. Në Therandë, Ballkani ka arritur të triumfojë 2:1 ndaj Gjilanit.
Tre gola u shënuan në pjesën e parë të takimit, ku Ballkani kaloi në epërsi herët që në minutën e 14-të me anë të Blend Baftiut.
Dhjetë minuta më vonë epërsinë për vendasit e shtoi Jetmir Topalli me një supergol nga largësia, transmeton 2LONLINE.com.
Në fund të pjesës së parë, Gerhard Progni i Gjilanit ngushtoi epërsinë e Ballkanit, duke shënuar golin e parë për Gjilanin.
Pjesa e dytë ishte po aq dinamike, gjersa vendasit me patjetër kërkonin golin e tretë të qetësisë, kurse gjilanasit tentonin me kundërsulme të realizonin golin e barazimit.
Pjesa e dytë u karakterizua me tensione në fushë dhe dinamikë, kur po afrohej fundi i takimit trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi u ndëshkua me karton të kuq.
Skuadrat kryen të gjitha zëvendësimet e mundshme, por shifrat mbetën të pandryshuara./2LONLINE.com/