(2L ONLINE) – Pasi në fund të muajit maj kishin hapur ekspozitën e përbashkët në Tetovë, tani babë e bir, Avni e Lumbardh Brehluli do të ekspozojnë punimet e tyre edhe në Gostivar.
Artisti Avni Behluli i ka thënë Portalit 2L ONLINE, se sonte në Galerinë “Kult” në Gostivar do të hapet ekspozita e përbashkët e tij dhe e birit të tij Lumbardhit ku do të ekspozohen punimet e tyre
“Drejtori i Galerisë , “Kult” në Gostivar kishte shprehur interesim që ekspozita e hapur kohë më parë në Tetovë t’ju prezantohet edhe artdashëseve të Gostivarit , pra sot më 19 qershor ora 20.00 hapet ekspozita “Dy breza”. Është kjo ekspozita babë e bir, pra unë bashkë me djalin Lumin do të jemi të prezantuar, unë me vizatime nga cikli – Kafshët, dhe Lumi me portrete dhe peizazhe, pra me gjithsej 30 punime”, ka thënë Behluli për 2L ONLINE.
Ndërsa, ja çfarë thotë kritiku i artit Dr. Ilir Muharremi
***
Krijimi është evolucion historik i njeriut dhe ngulmues për refuzim të realitetit i cili anashkalohet nga artisti. “Asnjë artist nuk e duron realen” pohon Nietzsche-ja. Kjo është e vërtetë. Por, sipas Kamysë asnjë artist nuk mund të abstenojë nga realja. “Ai e refuzon boten për shkak të asaj që i mungon dhe në emër të asaj që, nganjëherë është.” Shënon Kamy. Dukshëm revolta observohet në formë të kthjellët, jashtë historisë-tregimit, arti hap shtigjet e fundit mbi përmbajtën e revoltës.
Simfonitë e natyrës, heshtjet e saja me përsëritje të përjetshme, ringjallen në telajot e artistit të ri Lumbardh Behluli. Ato vibrime ne mund t’i kapim parmes iluzionit, iluzioni ngjason me të imituarit e jashtëm me objektet, peizazhet ngjyrore, plotë magmë në brendësi dhe piktori veçon subjektin në mënyrë të parë të veçantë. Peizazhet ca të skuqura, ca të ftohta ikin, zhduken nga kujtesa nëse nuk ribëhen në pëlhurë. Ato sprapsen ashtu siç nuk janë në të vërtetë, sepse sikur të jenë ashtu siç janë, nuk do posedojnë veprime shpirtërore. Behluli veçon në hapësirë dhe në kohë vërtitjen e dritës, perspektivën e pafund e cila nga objektet zhduket, por në të njëjtën kohë jep iluzionin e dimensionit të tretë.
Ai kuadron pikturën duke eliminuar po aq sa zgjedhë, këtu e kam fjalën për gjësendet reale në natyrë, por veprimi humb nga veprimi tjetër, atëherë ky artist procedon në iluzion. Kjo është normale. Personazhet e paraqitura japin përshtypjen se janë të gjalla të zëna në lëvizje të ndryshme. Picasso, Claude Monet, Marlin Monroe, Michael Jackson…. paraqiten në pamje të parë të ngjashëm me atë çfarë janë, por nëse kapim iluzionin shpirtëror ngjanë me shpirtin e artistit. E kam fjalën për ribërje nga vetja ndaj asaj që është e huaj duke mishëruar shpirtin me një shpirt tjetër. Në sy vërejmë një fuqi shkapërderdhëse mbi personazhet. Picasso-ja është tejet ekspresiv, mbanë dorën mbi kokë në mes dhimbjes së pandalshme mbi imazhet e bukurisë, përplasja e ngjyrës ngjanë me migrenën dhe i vetëm mes asaj dallge të pashërueshme. Revolta e personazhit kundër reales është shumë e dyshimtë, por secili në brendi posedon nuanca revolte,
sepse sipas Kamysë revoltohemi, prandaj jemi. Picasso akomodohet me ekspresiven duke humbur në mendime të cilat nuk i shohim.
Tek Avni Behluli në vizatime vërejmë prezantimin e kafshëve në lëvizje duke i gdhendur në formë unike. Hegeli e konstaton se shtaza ka vetëdije imediate për botën e jashtme, ndjenjën për veten, por jo vetëdije për veten që e dallon njeriun. Por, vdekja është vend i përbashkët si për njeriun ashtu edhe për shtazën. Por, njeriu dallon me atë se pranon vdekjen shpesh edhe dëshiron atë. Nëpërmjet vijave ai arrin ta shpreh kafshën si formë dhe kontur, por edhe emocionin si iluzion pamor. Kali në lëvizje ku asnjëherë nuk qe i kompletuar, ç’veshë atë unitetin e veçantës artistike: “Unë e shohë në këtë formë, dhe kjo provokon masën” pohon artisti. Unë do ta analizoja fjalinë “provokon”. Ndeshja e njeriut me diçka të tepërt, apo diçka absolute nga e cila kemi hequr një copë, bëhet tërheqëse me pyetjen: Përse nuk e ka edhe pjesën tjetër që duhet ta kishte? Përgjigja është: Në realitet të gjitha i ka, por arti është i kundërt me realitetin duke mos abstenuar tërësisht nga realiteti.
Çdo artistë që mbanë qëndrim serioz ndaj mjeshtërisë, ka një synim të natyrshëm. Synimet janë që veprat e tija të duken të natyrshme, komunikuese, shqetësues dhe ngacmuese. Këtu, artisti Behluli dyzon vetën, në njërën anë të krijuesit, kurse në anën tjetër të spektatorit. Vërtet artisti është kritiku i parë, dhe shqetësimet e tija pas filtrimit të kritikës, pushtojnë tregun pranues. Arti i tij dhuron lexuesit kënaqësi dhe në të njëjtën kohë dhimbje, por në një shkallë të lartë amoralitetin ndaj kafshëve të pambrojtura. Janë aktor që krijojnë spektakël të përgjakur, dhe ndezin ndjenjat e njerëzve duke luftuar me vdekjen. Skulpturat janë tërheqëse, dëshmojnë liri të plotë të ndjenjave duke prekur realizmin, nga i cili është liruar qysh një kohë të gjatë e deri tek abstraksioni dhe konceptualizmi. Nuk është lehtë të krijosh muskuj të fytyrës dhe të trupit, duke gdhendur dhe hequr lëndë në thellime ndërmjet muskujve, të lërë në vendet e fryra , pastaj, e veçanta është se çdo vendi duhet dhënë formën e duhur. Në asnjë skulpturë, krijuesi nuk heqë më tepër se që duhet, heqja e tepruar vije nga mosdija, apo mungesa profesionale. Andaj, forca mendore, për krijimin e formave tredimensionale, është jashtë mase e madhe dhe ngrihet në perspektivën lineare. Aftësia e krijuesit është se i qëndron kohës, dhe ringjall forma, aktuale, postmoderne që shpërblejnë dritën, hijen dhe publikun.
Andaj, për fund arti i dy autorëve krijon pajtimin e të veçantës universale, stilizimin, rënkimin, sfidën, revoltën, frymën revolucionare, soditjen, transpozimin e ngritur tej modernes.
***
Ndryshe, Avni Behluli ka lindur në vitin 1960 në Breznicë të Komunës së Bujanocit. Ai ka mbaruar studimet në Akademinë e Arteve në Prishtinë në drejtimin e skulpturës në klasen e prof.Agim Qavdërbasha. është njëri ndër themeluesit e shkollës së mesme publike të artit pamor në Gjilan.
Lumbardh Behluli ka lindur në vitin 1993 në Gjilan. Nga fëmijëria ka qenë pranë punës në studion e babait, pastaj disa vite ka ndjekur mësimet në shkollën jo publike për talentë të rinj në Gjilan. /2L ONLINE/