Ramiz Azizi, kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit ka thënë se lëndët e korrupsionit akoma mbesin lëndë me prioritet dhe që angazhimi i Gjykatës është që ato të zgjidhen sa më shpejtë.
Ai ka bërë me dije se deri në këtë periudhë të raportimit për këto katër muajt e fundit, 22 lëndëve ekzistuese iu kanë shtuar edhe tetë të reja, derisa janë kryer katër lëndë.
“Gjatë muajve korrik – gusht – shtator dhe tetor kemi trashëguar 22 lëndë të korrupsionit, e për këtë periudhë kemi pranuar 8 lëndë të kësaj natyre, gjithsejtë pra 30 lëndë, prej tyre janë zgjidhur 4 lëndë, kanë mbetur në punë edhe 26 të tjera. Mirëpo dua të theksoj që këto lëndë kanë një prioritet nga Gjykata jonë dhe të gjitha janë në procedurë, që nënkupton që shumë shpejt do të marrin epilog”, është shprehur Azizi, transmeton Portali 2LONLINE.com.
E, kur jemi te aktgjykimet e lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin, shumica e tyre vazhdojnë të kenë aktgjykim lirues, e sipas drejtuesit të Gjykatës Themelore, gjykata gjykon në bazë të provave, e që në këto raste po del se provat e ofruara nuk janë bindëse.