Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbledhjen e mbajtur sot ka aprovuar kërkesën e Kryetarit të Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi për rizgjedhjen edhe për një mandat të nënkryetarit të Gjykatës, Aziz Shaqiri.
Përndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), përmes aplikacionit ZOOM, ka mbajtur online takimin e 232-të me radhë, nën udhëheqjen e kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.
Gjatë këtij takimi, Këshilli aprovoi Raportin Vjetor të KGjK-së për vitin 2019. KGjK aprovoi transferin e jashtëzakonshëm të katër (4) gjyqtarëve për mbarëvajtje të procesit të përfundimit të lëndëve.
Këshilli aprovoi propozimin e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi për rizgjedhjen edhe për një mandat të nënkryetarit të kësaj Gjykate, Aziz Shaqiri, bazuar në performancën e tij në mandatin e parë.
Po ashtu, u miratua kërkesa e Programit të USAID-it, Drejtësia Komerciale (Commercial Justice Activity), për lejimin e mbajtjes së ndërmjetësimit online nga gjykatat.