(Fjala e Nevzad Isufit, me rastin e promovimit të librit “Gjergjat në Drita Përkrenaresh”, e autorit Avni Dehari, që u bë në Bibliotekën “FAN S NOLI”, në Gjilan)
Nga: Nevzad ISUFI
Të nderuar të pranishëm, miq të librit e arteve letrare! Vetëm katër ditë na ndajnë nga një festë e madha kombëtare e 28 Nëntorit, por një lloj festimi është edhe sot, me rastin e prezantimit të librave – trilogjisë në prozë të autorit Avni Dehari. Po ashtu ky vit shënon edhe 550 vjetorin e vdekjes fizike të krye heroit tonë legjendar Skënderbeut. Pikërisht krye heroi ynë kombëtar është edhe krye personazhi që gjallon në veprat e autorit Avni Dehari, këtë prezantim e promovim po e bëjmë sot në këto ditë të rëndësishme nëntori, në një nga tempujt e librave që është biblioteka jonë e qytetit.
Përkundër faktit që këtu u përmend, që autori ka krijuar një duzinë veprash të tjera, të cilat unë nuk kam pasur rastin as t’i lexoj, me leximin e trilogjisë që po prezantojmë sot, më është zgjuar kureshtja për t’i lexuar edhe të tjerat, po qese kam mundësi t’i gjej. Pra unë e kam filluar leximin e veprave të autorit nga veprat e fundit, prandaj për këto do të jam një vështrim, nisur nga një kënd im i qasjes. Por nëse ia kam filluar nga veprat e fundit, nuk do të thotë se veprat i kam lexuar së prapthi.
Nga vështrimet kritike që i gjejmë edhe në krye të veprave të trilogjisë, theksi i përkushtimit të veprave u drejtohet fëmijëve të moshës mbi 11 a 12 vjeçare. Por unë nuk do të isha përkufizuar vetëm në këtë moshë, për shkak se në tregimet e bacës Avni në këtë trilogji, ka shumë vend edhe për lexues të moshave të tjera ose ka edhe plot tregime, në të cilat theksimi i moshës as që do të kishte kuptim, sepse përmbajtja dhe forma e rrëfimit shlyejnë kufijtë e moshës.
Shumë nga Ne pavarësisht moshës që kemi në jetën tonë e në mbamendjen tonë, kemi copëza fëmijërie, copëza rinie, të cilat jo rrallë janë kthesa, në të cilat ne qëndrojmë nga njëherë më shkurtë e nganjëherë më gjatë, herë në ato pjesët e errëta e të pakëndshme, e herë në ato më të ndritshmet të asaj pjese të jetës. Duke lexuar tregimet e kësaj trilogjie, gjen plot fije që të qojnë në rrugëtime të tilla e të ndalin në tablo të historisë, si asaj të lashtësisë, të mesjetës, ashtu edhe të asaj që rrugëton deri në kohën tonë, e të cilat autori i aq bukur i ka pasqyruar artistikisht. Në to gjejmë plot momente që të përkujtojnë pjesë të fëmijërisë e rinisë të secilit nga ne.
Kam bindjen se zgjedhja e temës dhe kryepersoanzhit- krye personazheve (nga se autori thotë Gjergjat e jo Gjergji, pra një titull simbolik) të këtyre tri vëllimeve të tregimeve, nuk është e rastësishme, këtë na e thotë edhe vet autori në pjesën e parë të trilogjisë me titull sa figurativ aq edhe real “Dragoi”, prandaj, sigurisht autori do të duhej të ketë pasur një siguri shumë të mirë në vetvete, ashtu siç do të duhej pasur njohje shumë të mirë edhe të historisë reale të personazhit- kryetrimit Skënderbeut, historisë dhe rrethanat e saj kohore, ashtu do të duhej pasur njohje edhe për krye heroin real e imagjinar të letrave të shumë e shumë autorëve pararendës të të gjitha anëve.
Se këto autori i ka pasur, tregon kombinimi i mirë që është bërë ndërmjet personazheve reale e historike dhe personazheve imagjinare të autorit. Ndërlidhjen e këtyre të dytëve me të parët, autori e bën shumë natyrshëm sa që të krijohet përshtypja se që të gjithë janë real, po aq sa janë edhe fiktiv, sa historikë, sa edhe modern e bashkëkohorë.
Autori bashkë me personazhet, që lexuesit i kanë të njohur, qoftë nga historia, qoftë nga krijimtaria letrare e autorëve që kanë shkruar për Skënderbeun dhe periudhën e tij, siç janë Gjergj Arianiti, Moisi Golemi, Hamza Kastrioti, Lekë Dukagjini, Kont Urani, ka krijuar edhe personazhe të tjera, të cilat assesi nuk ua ndryshojnë rrjedhën zhvillimeve që janë të njohura. Por personazhet e reja të autorit vazhdojnë të kombinohen dhe rrugëtojnë drejt qëllimit që kanë këto personazhe. Ata lidhen me këto personazhe dhe krijojnë një komunikim aq të rrjedhshëm dhe harmonik e interesant, sa që vetëm sa ndriçojnë edhe më shumë veprimtarinë tyre, gjë që i bënë edhe më të pëlqyeshëm e të adhurueshëm për lexuesin.
Një aspekt i rëndësishëm i këtyre veprave të autorit, është se autori Avni Dehari personazhin kryesor të veprës, siç është Gjergj Kastrioti Skënderbeu (por edhe personazhet tjera historike), i ka zbritur ngadalë, përmes një rrjedhe natyrale, me një zbritje përmes një pjerrtësie të lehtë dhe padiktueshëm, nga legjendarizmi në mesin e njerëzve të zakonshëm, të prekshëm, që kanë ndjesi, që kanë dhembje, që kanë brenga, që kanë edhe dobësi, por që veprën e bëjnë të madhe dhe që në arritjen e qëllimit nuk bëjnë kompromis. Me këtë lloj personazhi, lexuesi i moshës së re ndjen ngrohtësi, ndjehet i afërt e plotësisht i familjarizuar me ta, futet padiktueshëm në ngjarje, por tërthorazi nxitet për të qenë i vendosur dhe këmbëngulës në realizimin e qëllimeve të tij.
Autori përmes krijimeve letrare dhe me këtë qasje të tregimeve të tij, bënë që ngjarjet e mesjetës më me lehtësi, e të ndriçuara, lexuesit t’i ketë më afër, pothuajse të ekranizuara në trurin e tij. Forma e të treguarit, rrëfimit të nxit, të harrosh kontekstin historik, për të vënë paralelizma edhe me kontekstin kohor aktual, kur në qendër të vëmendjes janë ngjarjet me rëndësi kombëtare.
Ideja e përbashkësisë shqiptare si një domosdoshmëri e kohës, që nga mesjeta merr vëmendjen e duhur edhe në tregimet e fundit të trilogjisë së autorit, i cili këtë do ta brumos edhe te lexuesit e rinj, me çka autori do t’i nxjerr kokën porosisë së tij, e cila shenjat i ka edhe në titujt e veprave të trilogjisë, por edhe në përzgjedhjen e personazhit kryesor të këtyre veprave.
Një aspekt tjetër të cilin do të doja të vë në pak tek veprat-trilogjia e autorit, është edhe gjuha e veprave, fjalori, mënyra e lidhjes së fjalëve, mënyra e kompozimit të fjalëve dhe sintaksa e fjalive.
Për të gjithë ata që si unë, leximin e veprave do ta nisin nga kjo trilogjia, do vërejnë, se kemi të bëjmë me një autor-krijues që ka përvojë dhe pjekuri letrare, dhe për këtë një tregues shtesë e i rëndësishëm është gjuha, e cila nuk do të jetë vetëm mjet i ndërtimit të tekstit letrar, por një art në vete, sepse me mjeshtërinë e përdorimit të saj, dhe përshtatjen e fjalësit dhe ruajtjen e pastërtisë së saj, janë të dukshme në të gjitha tregimet e trilogjisë.
Autori duke qenë vet profesionist i gjuhës, ka kujdes që jo vetëm të përdorë një fjalor shumë të pasur e burimor të shqipes, duke vënë në përdorim në prozën e tij edhe fjalë të rralla që të intrigojnë pozitivisht për të kërkuar gjenezën e etimologjinë e çdo fjale, me çka tregohet natyra e tij studiuese. Do të hasim plot kompozita, neologjizma e shprehje frazeologjike, të cilave aq natyrshëm ua ka bërë vendin, sa që çdo shkëputje e tyre duket se e humb autoktoninë e vet dhe zbeh dukshëm kuptimësinë. Ky kujdes duket edhe në emrat e njerëzve ose, si Pepë, Gjin, Tina, Nik, Manë, Krutan, Lekë, ku tingëllimi shqip është aq natyral. E njëjta gjë vlen edhe për emërvendet ose toponimet. P.sh emri Fushëpresh për Preshevën ose Kumanë për Kumanovën, venbanimet; Gardhishtë, Shtogishtë. Ose në tregimin “Kobra”, kur tregon lojën e fëmijëve përmend lojërat; shpatash, gurapesh, gurashenjash, cingëlthi, gogla rrotullacë, foçe, hipëza, kalorthi, brezahypthi, petash etj. Ose autori do të nxjerrë dhjetëra sinonime nga goja e fëmijëve për një lloj lodre që sillet me kamxhik si; fugë, verrle, furtjelë, xunxar, vërteshkë, vërtimushkë, ferre, cifurre, vuvacë, zgurë e rrotullacë.
E çmoj purizmin e autorit dhe përpjekjet për të ruajtur pastërtinë e gjuhës dhe për ta pasuruar më tej atë, gjë të cilën unë e vlerësoj shumë të nevojshme dhe e konsideroj si detyrë të secilit nga ne, sepse vetëm kështu nuk na zë mallkimi i Fishtës për gjuhën dhe në këtë mënyrë vihen në lëvizje, përdorimi i plotë fjalëve burimore me rrënjë të shqipes. Prandaj mund të them se autori ka krijuar stilin e tij të pavarur, të pasur e të qartë për çdo shtresë lexuesish. Pra, mendoj se në këta libra të autorit Avni Dehari, por besoj edhe nga librat e tjerë, mund të dal edhe një studim i mirëfilltë leksikor e stilistik.
Siç e dimë për të dal i kompletuar një libër, do të kaloj nëpër një varg procedurash, prandaj nganjëherë rrjedh edhe ndonjë gabim. Disa gabime të natyrës teknike kanë rrjedhur edhe në këta libra, siç kemi rastin e rënies së ndonjë shkronje në fillim të fjalës, ngjitja e ndonjë fjale, ndarja në mes e ndonjë fjale, që më shumë i takojnë shtypësit e nuk i takojnë autorit. Por duke u bazuar në lexueshmerinë që do të kenë, dhe cilësinë e këtyre veprave, besoj që shpejtë autori do të ketë nevojë të bëj një ribotim të dytë të tyre dhe do të mënjanohen këto gabime teknike, të cilat nuk e zbehin cilësinë e veprave.
Mendoj që po të kishim një kinematografi të zhvilluar si shtet, qysh nuk e kemi, ky lloj i prozës është tipike për ta bërë film artistik për fëmijë e të rinj dhe do të shikohej shumë më me ëndje krye heroi ynë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, se sa filmat e huaj me personazhe imagjinare që sinkronizohen në gjuhën shqipe.
S’ka dyshim që për prozën e autorit janë bërë edhe vlerësime zyrtare, ku në mesin e shumë krijuesve konkurrent, vitin e kaluar, nga Ministria e Kulturës, Rinis dhe Sportit e Republikë së Kosovës, libri i tretë “Flakadanët e Lirisë” i kësaj trilogjie, ka marrë çmimin “Vehbi Kikaj” për prozën më të mirë letrare.
Duke mos pretenduar se këtë rast, me këtë vështrim timin, nga këndi i një lexuesi të kujdesshëm, po bëjë një vlerësim të gjithanshëm, unë kam vënë në pah vetëm ndonjë aspekt të saj, nga aspektet e shumta pozitive që ka në këto proza, e që u përmendën. Prandaj për fund, unë përgëzoj autorin, bacën Avni, dhe uroj që të ketë shëndet e të vazhdoj të krijojë edhe më shumë vepra të tjera me vlera si këto, ndërsa lexuesve të rinj dhe fëmijëve u them që kanë rastin të lexojnë një prozë me vlerë, e që do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre. Ndërsa nga gjuha e kulluar shqipe e me plot shprehje të bukura e të veçanta, që do të gjejnë në këta libra, do të pasurohet fjalori i çdo lexuesi.