SC Gjilani i udhëhequr nga Gentjan Mezani regjistroi fitoren e katërt radhazi dhe të dytën përpara tifozëve të vet në ndeshjen e javës së pestë në Superligë, ndaj Ballkanit.
Atmosfera në kampin “kuqbardh” duket fantastike, derisa pas ndeshjes futbollistët, stafi teknik dhe drejtuesit e klubit festuan me tifozët.
Klubi është në ecuri të mirë, jo vetëm të rezultateve por edhe atmosferës brenda futbollistëve, stafit dhe kryesisë.
Lojtari i 12-të i gjilanasve është gjithmonë aktiv dhe tashmë grupi i tifozëve “Skifterat” duhet të jenë më të zëshëm se kurrë, përkrah klubit të zemrës.
Gjilani është lider në Superligë me dymbëdhjetë pikë, ndërsa në javën e gjashtë takohet me Prishtinën në “Fadil Vokrri”.