/2L ONLINE/ – Shefi i Grupit të Këshilltarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Selami Xhemajli, thotë se koalicioni qeverisës në Gjilan në mes të LDK-së dhe AAK-së është funksional, me rezultate pozitive dhe se në të nuk reflekton aspak madje as fakti që në nivel qendror AAK është pjesë e opozitës.
Ai tha se në nivelin lokal ka një marrëveshje mes LDK e AAK, për të qenë në bashkëqeverisje, e që po funksionon shumë mirë, pa asnjë problem, ndërsa për çështje të nivelit qendror AAK është subjekt në vete dhe qëndrimet e saja janë të pavarura.
Ndërsa, zërat që janë edhe publik, e që vijnë nga disa përfaqësues të LDK-së së Gjilanit, që haptas vlerësojnë se AAK-ja nuk u duhet në koalicion dhe se nuk e duan më pjesë të tij, Xhemajli i AAK-së i quan zëra të individëve, që janë të pafuqishëm për të marr vendime për koalicion.
Ai thotë se koalicioni është bërë mes dy liderëve, kryetarëve të partive (degëve) dhe se janë pastaj edhe organet partiake që e vlerësojnë se a do të vazhdojë apo jo tutje koalicioni, e jo e individëve të caktuar që mund të flasin, por që zëri i tyre është krejtësisht i pafuqishëm në vendimmarrje kur është në pyetje çështja e koalicionit. /2L ONLINE/