(2LONLINE) – Këndi pozitiv i medias në fushatën e sivjemë po paraqitet më interesant, më intensiv dhe në disa studio televizive është munduar të ketë një përgatitje më të lartë në shumë aspekte. Mediat, tubimet e sivjetshme të partive politike po i paraqesin shumë më tepër me pompozitet dhe ato para auditorit (elektoratit) zhvillohen ngjashëm sikur nëpër disa vende të ndryshme evropiane.
Bile, fushata elektorale të disa partive politike i gjason fushatës alaevropiane. Liderët e partive më të mëdha janë në garë të fortë për përfaqësues të tyre nëpër komuna të Kosovës, duke përdorur slogane tashmë të njohura për një Kosovë më të mirë…, dhe me këto slogane tregojnë se këto subjekte janë të përkushtuara për ndryshime në këtë vend.
Projektet e tyre për të ardhmen janë më se ambicioze, me disa teprime, por që nuk dëmtojnë imazhin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Aktualisht mediat e shkruara, elektronike dhe në versionin online të portaleve është fokusuar në pjesën më të madhe tek fushata elektorale, Informacion në të gjitha formatet, spote të përkushtuara artistikish deri në detaj nga subjektet politike dhe kandidatët, debate, polemika, replika të nxehta mes konkurrentëve, por dhe tone të larta arsyetimi dhe hamendësimi mes analistëve kosovarë.
Mbulimi shumëplanësh mediatik nuk synon të pasqyrojë vetëm atë që ndodh në çdo skaj të Kosovës nga kontaktet e kandidatëve me elektoratin, por nëpërmjet forumeve dhe paneleve të larmishme përpiqet të hedhë dritë e të drejtojë publikun në trendet e garës.
Duke krahasuar sjelljen e medias në zgjedhjet e katër viteve me parë, vihet re aktualisht një pozicionim më pozitiv dhe më pak anues. Kjo bie më shumë në sy në ekranet e televizioneve dhe në studiot e emisioneve kosovare, ku disa moderatorë vërtetë thumbojnë ata kandidatë të cilët e kanë “mizën nën kapuç”.
Mediat kanë luajtur e po luajnë një rol kyç në këtë proces zgjedhor. Mirë apo keq, diku me seriozitet profesional e diku me naivitet partiak, gazetat dhe televizionet janë bërë të pazëvendësueshme në përcjelljen e fushatës dhe imazhit të forcave politike. Aspekt pozitiv mendoj se mund të renditet fakti që aktorët politikë e ndjejnë më shumë se më parë peshën dhe autoritetin e medias. Kjo falë evolucionit të saj, sidomos në rastin e medias elektronike tek portalet e shumta. /Rexhë Hasani/