/2L ONLINE/ – Krijimi i Asociacioni të Komunave Serbe të Kosovës, është edhe një lajm i keq për Kosovën. Ky asociacion është edhe një gjymtim i shtetit të Kosovës. Krijimi i këtij asociacioni do të thotë humbje e autoritetit të shtetit në nëntë komuna edhe pse Kosova nuk e njeh nivelin e tretë të pushtetit, që ka të bëj me autonominë e një rajoni.
Kështu është shprehur Bajram Hasani, kryetar I Nisma për Kosovën, dega në Gjilan, sipas të cilit pos komunave që qeveria ka lejuar që të administrohen nga Serbia që nga pas lufta si Zubin Potoku, Zveçani, Leposaviçi dhe veriun e ndarë prej Mitrovicës, me krijimin e asociacionit ne po e mundësojmë, me pëlqimin tonë që Serbisë t’i jepen edhe komunat e tjera që janë krijuar sipas planit të Ahtisaarit si Graçanica, Parteshi, Ranillugu, Kllokoti dhe Shtërpca.
“Ne duhet që me çdo kush të parandalojmë krijimin e këtij asociacioni. Kjo marrëveshje u jep të drejta komunave me shumicë serbe që të marrin vendime në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e aplikueshme. Deklaratat nga drejtuesit e shtetit se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë karakter legjislativ dhe as ekzekutiv, janë pak të besueshme, sepse tash e sa vjet jemi mësuar me deklarata të tilla dhe realitet ndryshe. Këto janë vetëm deklarata që mundohen ta fshehin të keqen e madhe që po i kanoset vendit tonë”, ka thënë Bajram Hasani i Nisma-s. /2L ONLINE/