Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Catherine Ashton, sot u ka bërë thirrje pushtetarëve të Kosovës dhe atyre serbë që t’i zgjidhin të gjitha mospajtimet në lidhje me zgjedhjet lokale duke ua përkujtuar që Bashkimi Evropian me kujdes po e përcjellë këtë zhvillim.
Baronesha Ashton ka theksuar se shumë njerëz kanë punuar fuqishëm në përgatitjen e këtyre zgjedhjeve, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd.
”Falënderimet e mia të veçanta”, ka thënë Ashton, ”shkojnë për OSBE-në, roli lehtësues i së cilës ka qenë i dobishëm për të arritur këtu ku jemi sot. Në fillim të procesit të dialogut kanë qenë dy kryeministra të guximshëm të cilët kanë pasur vizionin dhe kurajon për të arritur Marrëveshjen e Prillit dhe për ta zbatuar atë. U bëj thirrje atyre që të tregojnë vizionin dhe kurajon e njëjtë, për të siguruar zgjedhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse”, ka thënë Ashton përmes një deklarate për mediat.
Baronesha Ashton, me tutje ka theksuar se Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër zhvillimin e zgjedhjeve dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve që të adresojnë sfidat e mbetura. Sipas Ashtonit, ky proces zgjedhor duhet të jetë po ashtu një hap përpara në konsolidimin e demokracisë së Kosovës, ndërkohë që u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre të komunitetit serb, që të marrin pjesë në zgjedhje.