Më 05. 09. 2020, në Zarbicë, në praninë e një numri të madh të banorëve të fshatrave të Malësisë së Bujanocit, kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arif me bashkëpunëtorët e vet e me veprimtarët e kësaj ane bëri inaugurimin e përfundimit të asfaltimit të rrugës Zarbicë-Muhoc.
Shkruan: Ismet Tafili
Fshatrat e Malësisë së Bujanocit kanë festë, kanë dasmë!
Është vështirë njeriu që e do këtë vend, njeriu që ka lind në këto fshatra, të gjejë fjalë edhe më të thjeshta që ta thotë atë që e mendon nga emocionet nga gëzimi i madh për përfundimin e këtij projekti, për malësinë, madhor. Është një fitore e madhe, për të gjithë ne, edhe për ata që kanë parë dritë në fund të tunelit, por edhe për ata skeptikë që nganjëherë kanë shikuar terr, që kanë shikuar me mjegull, ndërsa është një frustrim për të gjithë ata, që në dekada nuk na kanë lejuar të punojmë për vendin tonë pa frikë, pa pengesa.
Sa herë që flitet për këtë rrugë, s’ka se si mos të kujtohen të gjitha ato sakrifica të shqiptarëve të kësaj ane, këmbëngulësia e tyre për ta ndërtuar e tani së fundmi për ta asfaltuar, s’ka se si mos të kujtohet kontributi dhe puna e të gjithë banorëve të kësaj ane për hapjen e kësaj rruge me bukën e thatë në trastë, nga vitet e ’60 të shek. të kaluar, s’ka se si të mos kujtohen pengesat e mashtrimet e pushteteve të kaluara, s’ka se si të mos kujtohet gëzimi i hapjes për herë të parë i kësaj rruge dhe qarkullimi i autobusëve të parë nëpër këtë rrugë në korrik të vitit 1971, që u mundësua nga puna dhe angazhimi i madh i atdhetarit, veprimtarit e humanistit Ilaz Selimi– Doktori i Malësisë, i cili bëri punën, derdhi djersën, bëri burgun e dha tërë pasurinë e tij për këtë rrugë. S’ka se si mos të kujtohen humbjet e mjeteve financiare që janë ndarë nga pushteti i ish Jugosllavisë e Serbisë për asfaltimin e kësaj rruge. Në këto momente, gjithashtu, të kujtohet edhe historia e kësaj ane, burrat trima e luftëtarë të të gjitha kohërave të cilët sakrifikuan për ruajtjen e identitetit tonë, sikurse edhe trimat e UÇPMB-së që sakrifikuan e kontribuon për këto troje të mbeten shqiptare e të lira etj.
Zhurma e banorëve të Malësisë të grumbulluar në inaugurimin e asfaltimit të rrugës, të kujton vitet e dikurshme, kur banorët këtu kishin tregun, kishin shkollën deri edhe me 600 nxënës, kryenin ceremonitë fetare, etj.
Këto zhurma të këtyre banorëve, këto cicërima të këtyre zogjve kanë ngritur nga varret, dëshmorët, luftëtarët, atdhetarët e shumë veprimtarë. Ata po bëjnë sehirë, po na shikojnë dhe bashkë me ne po gëzohen për këtë eveniment të rëndësishëm të fshatrave të Malësisë së Bujanocit.
Përfundimi i asfaltimit të rrugës Zarbicë -Muhoc, po tregon se në këto male, po erdhi diçka që sjellë gëzim e lumturi, po kthen buzëqeshjet e banorëve të kësaj ane, se diçka po ringjallet.
Asfaltimi i kësaj rruge, i pritur me dekada e vite, është shpresë, sepse do të mundësojë edhe realizimin e projekteve tjera për Malësinë e Bujanocit e posaçërisht të fshatrave të Bashkësisë Lokale të Zarbicës. Ishte pritje e gjatë, me shpresë e herë-herë me dilema. Po rrugëtimet e tilla kështu e kanë, më e rëndësishmja që angazhimi, shpresa e ëndrra për asfaltimin e kësaj rruge nuk u shuan asnjëherë dhe më në fund u realizua.
Urime Malësi, urime, e gëzofshim përgjithmonë. /2LONLINE.com/