Asambleja e Fëmijëve në Gjilan, ka zgjedhur sot kryesinë e re.
Në dy vitet e ardhshme, aq sa zgjat një mandat, Asamblenë e Fëmijëve do ta udhëheq Xhengiz Hyzeiri, ndërsa nënkryetarë do të jenë Malvesa Kurti dhe Edine Kazaz, sekretare – Morea Rexhepi, kurse arkëtare – Feroza Rashiti.
Hanumshahe Rexhepi, zyrtare për të Drejtat e Fëmijëve, tha se kjo është përbërja e tretë e Asamblesë së Fëmijëve, që kur është themeluar kjo organizatë, e cila ka për qëllim afirmimin e të drejtave të fëmijëve në shkolla, mjedisin ku jetojnë ata si dhe në shoqëri.
Rexhepi tha se Gjilani si komunë tashmë ka rregulloren për të drejtat e fëmijëve.
Asambleja është zëri i fëmijëve dhe këtë privilegj ata duhet ta shfrytëzojnë për të punuar së bashku për të mirën e tyre.
Asambleja përbëhet nga përfaqësues të shkollave dhe ka për qëllim të sigurojë pjesëmarrjen aktive të fëmijëve në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, sportit, punës humanitare dhe aktiviteteve të tjera me interes për ta, bashkëpunimin me Këshillat drejtues të shkollave, prindërve, nxënësve dhe komunitetin lokal, ngritjen e vetëdijes për të drejtat e fëmijës, inkurajimin e tolerancës, solidaritetit dhe demokratizimit, promovimin e vlerave shoqërore dhe të tjera. /2LONLINE.com/