Gjilan – (2LONLINE) – Drejtues të Partisë së Drejtësisë(PD) në Gjilan, kanë konfirmuar se janë kontaktuar nga të dyja subjektet, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), që kandidatët e tyre do të garojnë në balotazh për garën për kryetar komune, por se sipas tyre, nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim me asnjërën palë.
Këto kontakte i kanë konfirmuar për Portalin 2lonline, Selvete Shurdhani, kryetare e Degës së PD-së në Gjilan dhe Labinotë Demi – Murtezi, ish kandidate për kryetare e këtij subjekti, e që si bartëse e listës, pritet të jetë pjesë e Kuvendit Komunal që do të konstituohet, pas zyrtarizimit të rezultatit të zgjedhjeve të 3 nëntorit
Që të dyja, Shurdhani edhe Murtezi megjithatë thanë se për momentin nuk ka asgjë konkrete me asnjërën palë. Për më tepër Shurdhani ka thënë se do të jetë çështje e strukturave partiake si do të vendosin për këtë çështje por se tani për tani, PD-ja nuk ka qëndrim të prerë ende se a do të mbështetë ndonjërin prej kandidatëve në garën e balotazhit, por as në lidhje me atë se a do të futen në koalicion me ndonjërin prej subjekteve politike, por se u tha nga ato, se PD-ja, nuk ka vija të kuqe për asnjërën parti kur është në pyetje bashkëpunimi, përkatësisht koalicioni i mundshëm.
Përndryshe, në zgjedhjet e 3 nëntorit PD-ja ka marrë besimin për të qenë e përfaqësuar me një këshilltar në asamblenë komunale të Gjilanit. / 2lonline/