Arti ka identitet vetëm kur përcjell mesazhe universale. Fletorja zyrtare e cila përcakton destinimin e përmendores (skulpturë) e thotë të kundërtën. Mesazhi është i qartë; kjo vepër arti madhështon aktin e masakrimit te popullatës gjilanase nga “Luftëtarët e ramë…” të cilët ishin pjesë e brigadës çetnike të shndërruar në partizane.
Shkruan: Fadil Kajtazi
Sa i përket veprës si vepër, ajo është e realizuar mirë artistikisht, ka thellësinë, plastikën dhe karakterin. Me vepra të ralizuara artistikisht në mënyrë brilante ka qenë e mbushur e gjithë Gjermania në kohën e Hitlerit. Gjithashtu, edhe diktatorët e vendeve të bllokut komunist i kanë kushtuar një vëmendje artit pamor, dhe pjesa më e madhe e vendeve të ish-bllokut komunist kanë qenë të mbushura me vepra, të cilat kanë pasqyruar realitetin e realizmit socialist.
Ç’është e vërtetë, (sipas botëkuptimit të këtyre që protestojnë për heqjen e kësaj përmendore) ato për vite të tëra krijuan identitetin e tyre në kohë dhe hapësirë, por fatkeqësisht ishin pjesë e përkujtimit-glorifikimit të një mendësie kriminale e pasqyruar përmes dorës së “artistëve”.
Është e vërtetë se edhe përmendorja e Car Llazarit, ka qenë vepër e realizuar artistikisht, e cila e ka zhvendosur nga mesjeta ne shellullin XX nje figurë. Gjithashtu, edhe “çezmja e Car Llazarit” ka qenë një monument që pati krijuar identitetin e vet, dhe përfundimisht edhe Millosheviqi si personalitet politik pati krijuar nje identitet në kohën dhe hapësirën tonë jetësore, pasi përpos që mbushte nga një pjesë të hapësirës tonë të varfër mediatike, ai kishte edhe simpatizuesit e vet brenda shqiptrëve, siç ka kjo skulpturë-përmendore.
Për fatin e keq të tyre, ata u shporrën, dhe pavarësisht vështirësive që po kalon Kosova jonë, ajo do ta ndërtojë identitetin e ri të bazuar në vullnetin e shumicës se popullatës së saj, ku veprat artistike do të krijojnë identitet duke përqëndruar mesazhin universal të lirisë për të cilin ky popull vuati më së shumti.