Ministria e Mbrojtes sot ka filluar implementimin e objektivit të Ministrit Mehaj të përcaktuar në fillim të mandatit të tij për ngritjen e aftësive profesionale të ushtarakëve tanë edhe përmes përfshirjes së arteve marciale në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Për të realizuar synimin tonë që FSK të trajnohet nga sportistët elitar të xhudos dhe Forca e Sigurisë së Kosovës të marr pjesë në garat botërore multidisiplinare të organizatës CISM për forcat e armatosura, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj priti sot në takim Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekun, Zv. Ministren Daulina Osmani, Kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kukën, Selektorin e Reprezentacionit të Xhudos së Kosovës, Driton Kukën, dhe xhudistët tanë kampionë.
Me këtë rast, Ministri Mehaj i njoftoi të pranishmit me konceptin e arteve marciale në FSK dhe synimet e Ministrisë së Mbrojtjes për përfshirjen e xhudistëve në institucionet e sigurisë si trajnues të kuadrove të reja të ushtarakëve.
Gjithashtu Ministri Mehaj theksoi se ky plan, shkon përtej projektit shtetëror për moshat e reja “Kosova-Shtet i xhudos”.
Ai vlerësoi se inkorporimi i xhudos në institucionet e sigurisë, për qëllim integrimin institucional të arteve marciale, me fokus sportit të xhudos, në programin e përhershëm arsimor dhe stërvitor të pjesëtarëve të FSK-së, do të vihen në shërbim të FSK-së xhudistët tanë tashmë të dëshmuar në gara botërore, e në anën tjetër përmes këtij projekti do të vlerësohet profesionalizmi dhe talenti i xhudistëve tanë duke i angazhuar në institucionet tona.
Në fund, Ministri Mehaj, Ministri Ceku, Zv.Ministrja Osmani, Kryetari Kuka dhe Selektori Kuka u pajtuan plotësisht që projektin përkatës t’a realizojnë së bashku duke i dhënë vendin tonë, FSK-së dhe kapaciteteve të saj një vlerë të shtuar si mekanizëm i ngritjes së profesionalizmit dhe plotësimit të standardeve të NATO-s. /2LONLINE/