(2LONLINE) – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) , do të jetë pjesë e bashkëqeverisjes në Gjilan pasi është arritur marrëveshja mes këtij subjekti politik dhe LDK-së partisë fituese. Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka bërë publike marrëveshjen e tillë e cila rezulton me atë se AAK-së do ti jepet posti i nënkryetarit të komunës dhe udhëheqja me dy drejtori komunale.
Në një konferencë të përbashkët të kreut të komunës Lutfi Hazirit dhe të kryetarit të AAK-së, Dega në Gjilan, Rexhep Kadriut, u bë e ditur se kjo marrëveshje përfshinë postin e nënkryetarit të komunës, e që do të jetë vet kryetari i AAK-së Rexhep Kadriu, që do ta marr këtë post si dhe dy drejtoritë, ajo e Administratës dhe e Shërbimeve Publike, që do të gdhihen nga kuadrot e AAK-së.
Me këtë rast, kreu i komunës Lutfi Haziri ka thënë se janë marrë vesh në parim për ndarjen e angazhimeve dhe përgjegjësive dhe Aleanca në këtë drejtim e merr nënkryetarin dhe dy drejtori si dhe po ashtu janë vendosur parimet e qeverisjes dhe agjenda e qeverisjes për qytetarin.
Sipas Hazirit kjo marrëveshje është interes i përbashkët për të qeverisur me duart të pastra, do të jetë një qeverisje transparente e me dyer të hapura, një qeverisje që do të bëhet për interesin e qytetarëve të komunës së Gjilanit.
Nga ana e tij, Rexhep Kadriu, kreu i AAK-së dhe nga tani edhe nënkryetar i komunës, e ka vlerësuar si të veçantë arritjen e kësaj marrëveshje.
Ai tha se kjo marrëveshje është bërë për interes të qytetarëve të komunës së Gjilanit sepse Gjilani realisht për shumë vite ka mbetur mbrapa në zhvillim, andaj AAK ka shprehur gatishmërinë t’i bashkëngjitet kryetarit Haziri , për të ecur bashkë, për të punuar bashkë për të mirën e qytetarëve dhe që të gjithë ato premtime të bëra nga të dyja palët të realizohen gjatë këtij mandati
Përndryshe, kreu i komunës Lutfi Haziri kaq bërë me dije se marrëveshje të tilla janë realizuar edhe me PSD-në edhe atë pa kushte dhe në ditën në vijim pritet formalizimi edhe i marrëveshjeve me partinë turke – KDTP, dhe Partinë e Drejtësisë – PD.
“Ne sot e tutje kemi një stabilitet institucional në përkushtimin tonë të përbashkët për ti realizuar qëllimet në shërbim të qytetarëve”, ka thënë Haziri. / 2lonline/