(2L ONLINE) – Z. Stajkoviçi (1962), dyshohet se më 1999, në Kllokot, kishte kryer një vrasje dhe ishte larguar nga Kosova, oër të ikur në Serbi. Tani ai ishte kthyer në shtëpinë e tij në Kllokot, por se pas paraqitjes së rastit, ka reaguar policia e cila e ka marr dhe e ka intervistuar, ndërsa prokurori ia ka caktuar masën e ndalesës për 24 orë.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan, duke folur për rastin ka thënë se Policia e Kosovës, stacioni Policor në Kllokot kishte pranuar një informatë nga ankuesi, serb-shtetas i Kosovës, me banim të përhershëm në Kllokot, për një rast “vrasje” që kishte ndodhur në Kllokot në vitin 1999. I dyshimti i këtij rast tani veç ishte kthyer në shtëpi pasi që nga atëherë ai ishte larguar nga Kosova.
Pas paraqitjes së rastit, Njësitet e Hetimeve rajonale nga Gjilani kanë ndërmarr të gjitha veprimet hetimore dhe kanë dëgjuar palën ankuese fillimisht, dhe më pastaj të dyshuarin.
“I dyshimti Z. Stajkoviçi (1962) diku në muajin Korrik të vitit 1999 në fshatin Kllokot, dyshohet që me një mjet të fortë (thikë), kishte goditur viktimën I. N. në atë kohë 22 vjeç. Viktima edhe përkundër ndihmës së ofruar, pas një dite kishte vdekur”, ka thënë zëdhënësi Hashani, sipas të cilit, i dyshuari Z. Stajkoviç është sjellë në Gjilan, dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Prokurorit i shtetit për krime të rënda në Gjilan, ka vendosur që të dyshuarit t’i lëshohet vendimi për ndalimin për 24 orë.
“Në bazë të informacioneve i dyshuar që nga data e ndodhjes së rastit ka qenë duke jetuar në Republikën e Serbisë, gjersa me 05.09.2014, ai ka hyrë në Kosovë, më saktë është kthyer në Kllokot në shtëpinë e tij”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim. /2LONLINE/