Nënkolonel Shaban Azizi, zëvendësdrejtori rajonal i policisë në Drejtorinë Rajonale në Gjilan, ka kujtuar rastin kur javë më parë, nga Drejtori i Qendrës së Testimit për Patentë-Shofer, ishte inicuar rasti i mashtrim, ku në bashkëpunim të ngushtë me njësitin për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion është punuar me qëllim të sigurimit të dëshmive, provave dhe kapjen e të inkriminuar ne këtë vepër penale, ku deri më tani, për këtë rast, janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar.
“Në vazhdën e hetimeve disa mujore nga njësiti përkatës, është arrestuar, personi i dyshuar, me iniciale L. P., edhe atë për herë të dytë, pasi i njëjti ishte arrestuar edhe më herët, më 11.07.2017, për të njëjtin rast, mirëpo pasi ishte liruar nga qendra e ndalimit, i dyshuari prapë ka vazhduar dhe ka përsëritur veprën penale”, ka thënë nënkolonel Azizi.
Sipas tij, i arrestuari është bashkëkryes i veprës penale të mashtrimit, ku i ka ndihmuar të dyshuarin B.A. në vendosjen e pajisjeve elektronike (mikrokamerave) kandidatëve që ju kanë nënshtruar testit teorik për patentshofer dhe dyshohet se kanë përvetësuar shumën prej 300 euro, për t’ia kryer patet shoferin personit I.S.
Njësiti përkatës i hetimeve, pas intervistimit të dëshmitarëve dhe sigurimit të dëshmive, ka arrestuar pra për herë të dytë të dyshuarin e lartshënuar dhe me aktvendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Përndryshe, rasti në fjalë është duke u hetuar nga njësiti për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion – Gjilan, ku dyshohet se mundë të ketë edhe persona të tjerë, të cilët janë të inkriminuar në veprën penale të lartshënuar.