Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se më 29 tetor, Njësia Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion që vepron në Gjilan, përmes rrugëve operative ka pranuar një informatë se një depo ushqimore që gjendet në rrugën “Beqir Musliu” në Gjilan, i dyshimti, pronari i saj, posedon dhe shpërndan artikuj ushqimor nëpër qendra tregtare dhe në shitoret me pakicë në qytetin e Gjilanit dhe më gjerë.
Ai tha se dyshimi ishte bazuar në faktin se produktet ushqimore që shpërndaheshin nga i dyshuari, ishin me afat të skaduar dhe se i njëjti ka ndërhyrë në afatin e skadimit të artikujve të ndryshëm. Policia e Kosovës njësiti Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion me leje të prokurorit ka bërë një kontroll të detajuar në këtë depo.
“Gjatë kontrollit, janë gjetur një sasi e konsiderueshme e artikujve të dyshuar ushqimor që kanë qenë me afat të skaduar, të cilët artikuj janë konstatuara me procesverbalin mbi inspektimin nga Drejtoria e Inspeksionit në Gjilan (Inspektorët e tregut), artikujt janë konfiskuar për asgjësim.
Gjatë kontrollit kanë prezantuar edhe inspektorët e ATK-së, të cilët kanë bërë identifikimin e dokumenteve relevante”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Sipas tij, në lidhje me veprimet e ndërmarra është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që i dyshuari të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit me prezencë të avokatit mbrojtës.
“Pas intervistimit dhe fakteve të prezantuara, prokurori i shtetit ka nxjerr aktvendim për ndalimin e të dyshuarit në afat për 48 orë në Qendrën e Ndalimit në Gjilan. Policia e Kosovës njësitet hetuese janë në fazën e grumbullimit të dëshmive shtesë që lidhen me rastin në fjalë”, ka thënë zëdhënësi Hashani. /2LONLINE.com/