Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Gjilan, ka zhvilluar veprimet hetimore, duke arritur të sigurojë dëshmi të arsyeshme se i dyshuari me iniciale (L.V.), u.d. menaxher i departamentit në një kompani, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ekonomike dhe duke keqpërdorur besimin e kompanisë, e ka dëmtuar kompaninë dhe buxhetin e komunës në mijëra euro, sepse i njëjti nuk ka lëshuar fare kupon fiskal për blerjet e konsumatorëve.
Artikujt e blerë nga konsumatorët, fillimisht janë regjistruar nga i dyshuari, por për të përvetësuar paratë për nevojat e tij personale dyshohet se ai nuk e kishte printuar fare kuponin fiskal, që ishte detyrë dhe obligim i tij.
I dyshuari i lartcekur me iniciale është intervistuar nga Policia në prani të avokatit të tij mbrojtës dhe në bazë të dyshimit të arsyeshëm, prokurori i shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë, për vepër penale “Keqpërdorimi i besimit” sipas kodit penal të Republikës së Kosovës, thuhet ne njoftimin e Policisë së Kosovës. /2LONLINE/