Me shkas festivalin e përvitshëm “Flaka e janarit” në Gjilan
/Avni RUDAKU/
Po ju shkruaj bash nga vendi i ngjarjes, bash edhe si pjesëmarrës direkt i ngjarjes dhe e kam të njohur problemin më për së afërmi! U raportua se u thyen dyert e teatrit të qytetit në Gjilan, pasi që në atë mbrëmje ishte shfaqja e radhës “Gishti”, me regji të Erson Zymberit. Po ju tregoj ngjarjen nga fillimi, fije-për-pe! Festivali “Flaka e Janarit” është afër rrumbullakësimit të dekadës së tretë, me origjinë fillimin e jetës paralele në Kosovë, largimit me dhunë dhe refuzimit mbarëkombëtar të shqiptarëve nga të gjitha institucionet e atëhershme. Pikërisht ky festival shërbente për të mbajtur gjallë frymën kulturore në fshatra e qytetin e Gjilanit, përkujtimin e dëshmorëve të kombit të cilët ranë në janar dhe ishte shenjë e segregacionit kulturor dhe etnik, të cilin e krijoi ish regjimi i Millosheviçit. Festivali si i tillë, këtë vit është pasuruar me filmat e metrazhit të shkurtër dhe ka qenë zgjedhje shumë e drejtë, pasi që publiku gjilanas ka vite që nuk sheh filma sepse objekti i kinemasë është privatizuar dhe qyteti nuk ka fare kinema për disa vite. Plus ishte edhe një ekspozitë me disa fotografi të mira, por që ishte organizuar në mënyrë të padinjitetshme, pasi që vendi ishte joadekuat, vendosja e fotove ishte mjaft kaotike dhe pa ndonjë kreativitet kuratorial! Me përjashtim të shfaqjeve teatrore (disa prej të cilave po ashtu janë pa kualitet teatror apo pa ndonjë risi), ngjarjet e tjera në kuadër të “Flakës së Janarit” janë shumica shumë të dobëta, me pjesëmarrës shumë të dobët, me ekspozita të tejkaluara, me orë letrare kiç dhe pa shije të mjaftueshme artistike dhe pa qenë në përputhje me rrjedhat e zhvillimeve bashkëkohore globale. Ndarjet e çmimeve janë katastrofale, sikur në shumicën e qyteteve të tjera, me kritere miqësh, shpërblimesh të ndërsjella, krijime privilegjesh reciproke (“unë ta jap këtu, ti ma jep atje!”), etj. Shfaqjet teatrore janë produkti më i konsumuar, më i dashur dhe më i kërkuar i këtij festivali! Në kuadër të “Flakës së Janarit” ka ekspozitë të arteve vizuele, e organizuar vetëm nga një Shoqatë e Artistëve, ashtu sikur e organizon “Orën letrare” vetëm një klub letrar, duke u imponuar vullneti i një grushti njerëzish duke vendosur kritere, rregulla dhe duke përjashtuar njerëz varësisht nga parapëlqimet e tyre personale e inferiore! Kur njëri nga ta bëhet pjesë e jurisë në Drenas, ia jep çmimin letrar mikut të tij bashkëorganizator në qytetin e Gjilanit! Merrni krejt çmimet nëpër Kosovë dhe e shihni se si bien në duar të njëjta të organizatorëve në Kosovë! Shumë poetë bashkëkohorë i refuzojnë këto ndeja letrare, por ndonjëherë kur nuk ka aq ngjarje letrare, ndjehet nevoja të mos selektojnë aq! Ka edhe mbrëmje të valleve, akademi përkujtimore (këtë mandat LDK-ja ishte në pushtet, dhe ishte akademi për I. Rugovën)!
Thyerja e xhamave të teatrit
Shfaqjet teatrore në këtë festival jepen pa pagesë, pra pa bileta! Gjersa xhamat nuk thyhen kur paguhen biletat, nuk ka ndonjë lajm të rëndësishëm! Gjilani ka publik sikur e thonë edhe shumë aktorë e regjisorë, por nuk është kështu në pjesën tjetër të vitit jashtë festivalit. Ka shfaqje që sjellin audiencë të gjerë sikur ka ndodhur rrallëherë edhe në disa repriza! Nuk ka shfaqje që nuk përcjelli në qytetin tim, por nuk është e vërtetë se salla mbushet jashtë premierave! Në premiera zakonisht shkohet me ftesa! Por megjithatë, është një gjë e sigurtë: ka publik të konsolidur me vite, por duhen investime të mëdha në teatër! Nuk i mungon teatrit publiku, por i mungon mbështetja financiare nga komuna, ka vështirësi të hatashme në menaxhimin e institucionit, nuk ka marketing dhe rrallëherë mund të gjeni ndonjë poster të shfaqjeve teatrore jashtë dy-tri fletave A/4 në muret e jashtme të objektit të teatrit! Por si ndodhi të thyhen xhamat e teatrit?!
Për secilën natë, shfaqjet fillonin ora 19:00. Vetëm një natë ishin dy shfaqje, njëra fillonte nga ora 17:00 dhe tjetra në ora 19:00! Komuna si zakonisht, ftesat u jep me shumicë zyrtarëve komunalë e familjarëve të tyre, aktorëve të teatrit, gazetarëve, ndonjë figure të rëndësishme nga familjet e heronjve e dëshmorëve, etj. Mirëpo, nga nata e parë, askush nuk kërkonte ftesë dhe publiku u mësua se nuk kishte nevojë për ftesa! Për secilën natë, njerëzit filluan të grumbulloheshin një orë para shfaqjes teatrore, pra ora 18:00, vetëm për të zënë një vend nga dera kryesore. Por tri-katër netët e para, askush nuk e kuptonte se si edhe pse pritej një orë, nuk ishte e sigurtë se do të zinte një ulesë brenda në sallë, pasi që dy dyer pranë foajesë dhe binës, përdoreshin për të hyrë zyrtarë komunalë, aktorë e regjisorë mysafirë e konkurrentë, ndonjë figurë e njohur apo e panjohur me ndikim etj. Në katër netët e para, unë prisja nga dera kryesore dhe habitesha se si jashtë sallës së teatrit kishte plot njerëz, por jo sa ta mbushnin krejt sallën brenda. Hilja e madhe ishte se dy dyert mbrapa teatrit rrinin të hapura, ndërsa dera kryesore mbahej mbyllur! Njëherë mbahej mbyllur edhe dera para bufesë së improvizuar. Prisnin njerëzit në radhë. Pas orës 18:30 hapej dera e parë, pastaj mbaheshin dy dyert e sallës të mbyllura. Pastaj hapeshin ato dy dyer dhe brenda gati krejt salla ishte e mbushur nga ‘dyert elitare’ që i përmendëm më parë! Pra, kishte një hile të madhe të mbeteshin dy dyer të hapura mbrapa teatrit, të mbusheshin me ‘zyrtarë a njerëz të njohur e të panjohur’, ndërsa këta ‘njerëzit e zakonshëm’ para derës kryesore dhe prap nuk ishin të sigurtë se do gjenin ulëse të lirë! Netët e fundit, vendosa të mos prisja më dhe të shkoja mbrapa teatrit! Nëse më ndalnin, e kisha në mendje t’i thoja: “Teatri është i qytetit! Pse të tjerët të hyjnë në këto porta, e ne jo?!” Por nuk më ndalën dhe punonjësit e teatrit, të shkretit nuk kishin fajet, pasi që ata bënin sikur urdhëroheshin nga lart dhe ata silleshin shumë mirë! E, si të mos thyheshin dyert e jashtme të bufesë së teatrit, kur edhe pse prisnin një orë për të hyrë, nuk e kishin të sigurtë një ulëse brenda sallës, sepse gjatë gjithë kohës dy dyert mbrapa teatrit ishin të hapura?! Pra, nuk mund t’i mveshet faji publikut për dyert e thyera, por menaxhimit të padrejtë teatror dhe komunal, pa harruar edhe vështirësitë e ndaljes së publikut për të hyrë në numër aq të madh. Nuk ka shfaqje teatrore e cila nuk kishte publik në dyja anët, edhe në këmbë, me përjashtim të shfaqjes “Ushtari i dy luftërave”, kishte orarin më të parregullt, ora 17:00 dhe salla ishte plot por pa publik aq në këmbë! Publiku i Gjilanit sikur publiku i secilit qytet në Kosovë mbetet i uritur për shfaqje teatrore e filma në kinema, por janë një sërë faktorësh që e kanë vështirësuar frekuentimin e publikut si: varfëria, papunësia, edukimi dhe arsimimi në fazën shkatërruese në cilësi, marketingu zero i shfaqjeve në përgjithësi, mungesa e frymës kulturore, menaxhimi kaotik, mungesa e resurseve njerëzore me njohje të kësaj fushe etj.
Arrestohet sepse deshi të shihte shfaqje në teatër!
U habita natën e fundit kur po përfundonte festivali i dramës shqipe, me shfaqjen “Kandili i Argjendit” me tekstin e Martin Camajt nga Teatri i Shkodrës. Publiku filloi të grumbullohej ora 18:00 dhe menaxhmenti teatror tha se kishte vendosur ta bënte roje me polici pas thyerjes së xhamave. Aq u bë e madhe se qenkan thyer xhamat e objektit të teatrit, sakaq më qeshej shpesh kur policia i largonte shikuesit kinse në mënyrë ‘edukuese’, duke i thënë: “Largonu nga xhamat se do t’i theni prap!” Një tjetër polic më bënte të qeshem kur thoshte: “Në teatër vijnë njerëz të kulturuar dhe po ndihem keq me u marrë me njerëz që mendohet se janë të kulturuar për të hyrë në teatër!” Kishte të drejtë deri diku, por krejt ky absurd sillej nga menaxhimi i dobët. Askush nuk po vënte theksin aty, por te publiku i pakulturuar!!! Absolutisht publiku nuk kishte asnjë faj për shtyrjen, ngase priste një orë dhe nuk e dinte se do ta kishtë një ulëse brenda sallës! Po ashtu kishte edhe disa fëmijë që punonjësit e teatrit nuk dinin si t’ia bënin: t’i kthenin apo jo?! Prindërit ishin të vendosur t’i merrnin brenda dhe krijohej rrëmuja kur shihej edhe letra lart në dyer: +18! Kur i pashë katër-pesë policë duke ruajtur te dera dhe tashmë kishin vendosur një kriter për t’i lënë brenda: posedimi i ftesës! Shumica nuk kishin ftesa sepse thonin me të drejtë, në netët tjera kishin hyrë pa ftesa dhe si mund t’u kërkohej sonte ftesa! E unë e mendoja një titull interesant, sikur një shikues të shtyhej edhe para policisë te dera e teatrit dhe të arrestohej, e pastaj të dilnim me një titull madhështor: “Arrestohet nga policia sepse deshi të shihte shfaqje në teatër!” Shumë lexues janë mrekulluar me titullin: “Thyhen xhamat e teatrit në Gjilan”, por kjo vlen vetëm për këtë festival dhe aspak nuk është tregues i problemeve të mëdha me të cilat haset teatri i qytetit! Në Gjilan ka pasur publik gjithmonë, por jo edhe aq shumë jashtë këtij festivali dhe premierave të vitit, duke përjashtuar reprizat në përgjithësi dhe duke mos përjashtuar edhe publikun për ndonjë reprizë të ndonjë shfaqjeje! Para pak kohësh aktorët e teatrit të qytetit kanë protestuar disa ditë rreth mungesës së pagesave për nëntë muaj! Kuvendi Komunal dhe kryetari i komunës i qetësuan ata/ato, duke u premtuar se do të ndihmojnë financiarisht me një shumë eurosh, por teatri i qytetit vazhdon të ketë probleme të panumërta! Statusi i parregulluar i aktorëve, ambiguiteti i neneve të Ligjit për teatrot, shpërndarja e përgjegjegjësisë herë te komuna e herë te MKRS, sistemi i varfër i biletave, sistemi tradicional i shitjeve, mungesa e marketingut të gjerë të shfaqjeve duke munguar posterët dhe fryma kulturore në katër anët e qytetit për t’u parë vetëm posterët e mbrëmjeve muzikore të diskove, e kështu me radhë. Prania e publikut në “Flakën e Janarit” ndërlidhet me etjen e gjilanasve për ta pasur një festival të vetin me ndikim dhe vetëdijshëm e pavetëdijshëm po e ndihmojnë atë përmes masivizimit në teatër për secilën natë të shfaqjeve! Shfaqjet teatrore vazhdojnë të gëzojnë interesim të madh, duke bërë që për herë të parë të shohim publik që pret një orë përpara, qoftë edhe për të mbetur në këmbë brenda sallës, e vetëm për ta ndjekur shfaqjen e mbrëmjes! Megjithatë, teatrot kanë ligjet e veta të akustikës. Ka ndodhur dy-tri shfaqje, për rendin e ulëseve kah fundi i sallës, të mos dëgjoheshin mirë. Të kesh në një sallë aq të mbushur me publik, në dyja anët në këmbë, nuk është aq komode për ta shikuar një shfaqje! Pa harruar edhe rastet kur i ka humbur ndonjërit në sallë edhe vetëdija, për shkak të oksigjenit të varfëruar, numrit aq të madh të njerëzve, nxemëseve me temperatura, ku nuk mund të merrnim as frymë! Teatri nuk është stadium dhe duhet të mendohet që e njëjta shfaqje ndoshta të jepet dy herë! Prandaj, është e udhës që ky festival sikur është pasuruar me filmat e metrazhit të shkurtër, të pasurohet edhe në ide më të mira, më të drejta e më funksionale për menaxhimin e organizimit të shfaqjeve teatrore. Po ashtu, pas secilës shfaqje, ka edhe debat e kritika. Zakonisht kritikat janë amatore, të pasinqerta, të paguximshme dhe me ndjeshmëri të lartë priten nga aktorët, regjisorët e të tjerë. Organizatorët e debatit si zakonisht janë dy figura të njëjta! Dytë janë të njohur me ato përshëndetjet dhe urimet me ish studentët e tyre në sallë, duke e vrarë kritikën dhe shpesh duke dalë prej temës kryesore: kritika pas shfaqjeve! Pastaj juria e shfaqjeve për secilin vit prodhon skandale në vlerësime, as nuk është objektive, dhe po ashtu ia jep të drejtën vetvetes të mos ndan çmime për kategori të caktuara! Dhe e fundit, teatri i Gjilanit si nikoqir nuk duhet të jetë pjesë e konkurrencës, sepse është nikoqir i festivalit dhe ka anime të natyrshme!
Kosova Sot, 30 janar 2016