(2LONLINE) – Autoritetet Policore të Rajonit të Gjilanit kanë bërë me idje se është arrestuar një person dhe janë konfiskohen rreth 25 kilogramë substancë narkotike
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, toger Ismet Hashani, njësitet policore sektoriale nga stacioni policor i Gjilanit kanë realizuar një operacion policor taktik me ç’ rast kanë arrestuar një person me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Blerje, Posedim, Shpërndarje dhe Shitje e Paautorizuar e Narkotikëve të Rrezikshëm dhe Substancave Psikotropike” dhe me këtë rast janë gjetur dhe konfiskuar rreth 25 kilogramë substancë narkotike që dyshohet të jetë e llojit marihuanë.
Sipas tij, personi i arrestuar është D. i lindur më 1970, shqiptar, shtetas i Shqipërisë.
“Arrestimi ka ndodhur pasi që zyrtarët policor njësitet sektoriale në rrugën e “Prishtinës” kanë ndalur veturën e tipit Seat Ibiza, ngjyrë të verdhë të cilën e drejtonte personi i dyshuar dhe gjatë kontrollit të tij dhe veturës janë gjetur dy çanta (11 qese të plastikës) të dyshuara me substancë narkotike të llojit Marihuanë”, ka thënë Hashani.
Sipas tij, njësitet relevante policore, hetues nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë dhe zyrtarët nga forenzika kanë dalë në vendngjarje dhe kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes duke bërë fotografimin dhe konfiskimin e substancës narkotike që pas testit dhe matjes ka rezultuar të jetë substancë narkotike e llojit Marihuanë që peshon rreth 25 kilogramë. Po ashtu në cilësi të provës materiale është konfiskuar edhe vetura në të cilën ka qenë substanca narkotike.
“Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë kryer nën autorizim të prokurorit përkatës dhe ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë për të vazhduar me procedurat e tjera hetimore”, ka thënë zëdhënësi Hashani./2lonline/