Si rezultat i planifikimit, bashkërendimit të aktiviteteve dhe hetimeve të përbashkëta policore nga hetuesit e Regjionit të Prishtinës, Ferizajt dhe të Gjilanit, janë zbuluar një grup kriminalë i personave të dyshuar të cilët kryenin vjedhje të rënda në rajone të ndryshme të Kosovës.
Ky grup kriminalë ka kryer vjedhje në lokacione/objekte të ndryshme dhe për të realizuar vjedhjet kanë përdorur automjete të ndryshme dhe mjete të forta për hapjen e lokaleve me forcë, ku për cak kanë pasur kryesisht vjedhjen e gjësendeve me vlerë si: para të gatshme, pajisje elektronike, armë, cigare në dyqane, e gjëra të ndryshme me vlerë.
Me urdhëresë të gjykatës kompetente në Ferizaj janë aplikuar masat e fshehta ndaj të dyshuarve, të cilët kanë qenë nën hetim dhe vëzhgim policor, të cilët dyshohen për përfshirje në dhjetëra vepra penale të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda të kryera në rajone të ndryshme, me ç ‘rast janë arrestuar tre (3) persona të dyshuar.
Si rezultat i hetimeve policore pas kryerjes së vjedhjes në një lokal në Prishtinë, sot është realizuar plani operativ për goditjen dhe arrestimin e të dyshuarve, ku në parkingun e një objekti banesor në rrugën ”C” të Prishtinës, fillimisht është arrestuar i dyshuari (R. A.), kurse të dyshuarit e tjerë të përfshirë në vjedhje edhe pse u janë dhënë urdhra të qarta për ndalim, kanë filluar ikjen duke përdor një veturë të tipit ‘Golf 5’.
Gjatë ikjes të dyshuarit me veturë kanë goditur dhe rrezikuar jetën e një zyrtari policor, ku për këtë, me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti “Vrasje në Tentativë”, përderisa gjatë ikjes të dyshuarit kanë braktisur veturën në rrugë. Vetura e braktisur është sekuestruar së bashku me disa dëshmi të gjetura brenda në automjet e të cilat dyshohet se janë gjësende të vjedhura.
Në vazhdën e veprimeve hetimore, me qëllim të arrestimit të dyshuarve dhe sigurimit të dëshmive në konsultim me prokurorin e shtetit dhe me urdhër të gjykatës kompetente, kanë vazhduar hetimet ku janë kryer katër bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, të cilat kanë rezultuar me arrestimin edhe të dy (2) të dyshuarve të tjerë (A. Sh.) dhe (Q. K.).
Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: 58 kartela grafike, para të gatshme, atlete, si dhe disa pajisje elektronike dhe gjësende me vlerë të cilat dyshohet se janë të vjedhura.
Grupi hetimorë është në proces të grumbullimit dhe analizimit të dëshmive lidhur me rastet të cilat dyshohet se i ka kryer ky grup kriminalë si dhe duke punuar në mënyrë intensive drejt identifikimit dhe arrestimit edhe të dyshuarve të tjerë të mundshëm
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë si dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të përfshirë në aktivitete kriminale. /2LONLINE.com/