/2L ONLINE/ – Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë të ditur se gjatë punës operative policore, Policia e Kosovës ka poseduar informacione të qëndrueshme se i dyshuari B. A. nga fshati Ballancë me vendbanim të përhershëm në Kllokot, është duke kryer veprën penale “Import, eksport, furnizim, transportim, prodhimi,këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
“Sot me urdhër të Gjykatësit të Procedurës Paraprake Policia e Kosovës, njësitet e Hetimeve Rajonale nga Gjilani , në intervalin kohor prej orës 09:00-11:30, kanë realizuar urdhër kontrollin ndaj shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarit B. A. dhe si rezultat ka gjetur dhe konfiskuar disa dëshmi materiale” ka thënë zëdhënësi Hashani duke i numëruar ato.
Tri (3) armë automatike AK 47.
Një (1) pushkë M48.
Tri (3) pushkë gjuetie.
Shtatë (7) copë pistoleta të llojeve të ndryshme ( TT, 9 mm dhe 7,65mm).
Një pushkë ajrore.
mbi 5 000 copë fishekë janë kalibër 7,62×39 mm,
rreth 1300 fishek kalibër 9mm,
100 fishekë të pushkëve të gjuetisë dhe mbi
2000 fishekë kalibrave të tjera.
Pra gjithsej Municione të llojit të ndryshëm rreth 8 400 copë.
“Lidhur me ngjarjen në fjalë në Lokalet e Policisë së Kosovës Njësitet e Hetimeve Rajonale në Gjilan, janë shoqëruar dy të dyshuarit Shqiptar Shtetas të Kosovës F. A. (1982), dhe N. A. (1991) vëllezër, të cilët janë intervistuar me shkrim në prani të avokatëve mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë. Ndërsa i dyshuari kryesor B. A. (1960) babai i tyre, është në kërkim të Policisë së Kosovës dhe për momentin gjendet në arrati.
Hetimet në lidhje me rastin janë në vazhdimësi. /2L ONLINE/