/2L ONLINE/ – Edhe 18 vite pas shkëputjes së Kosovës nga kthetrat e Serbisë koloniale, Serbia nuk po heq dorë, jo vetëm nga shtypja e shqiptarëve brenda kufijve të saj, por po i keqtrajton e po ju sjell probleme shqiptarëve kudo që po mundet, si që ka ndodhur këto ditë edhe me arrestimin e z. Ramush Haradinaj në Francë, bazuar në një urdhër arrest të Serbisë .
Gjashtë vite pas fillimit të dialogut të Bruksel me Serbinë, që patë filluar si dialog teknike, me arsyetimin se ky dialog do t’jua lehtësojnë jetën qytetarëve të dy shteteve mbase po pranohet nga pala kosovare dhe po kuptohet nga Bashkimi Evropian si i dështuar.
Kjo nuk do të thotë se me Serbinë nuk duhet të negociohet, por kjo do të thotë se me Serbinë, si edhe me çdo kënd tjetër, para se të hyhet në negociata duhet të përcaktohen parime të qarta nga palët dialoguese të cilat duhet të respektohen nga palët dhe të garantohen nga ndërmjetësuesi i negociatave.
Negociatat pa parime, në vend të marrëveshjeve parimore sjellin fituesin dhe humbësin në tavolinën e bisedimeve. Pranimi i statusit të pa definuar nga përfaqësuesit e Kosovës së pavarur, para se të fillojnë negociatat, e ka përcaktuar rrjedhën e bisedimeve, me këtë akt antikushtetues ka ndodh legjitimimin i ndërhyrjes së Serbisë në punë të brendshme të shtetit të Kosovës.
Me vetë faktin që përfaqësuesit e Kosovës kanë pranuar të heqin dorë nga vendimi historik i 17 shkurtit 2008 të Kuvendit të Kosovës, me që rast Kosova është shpallur Shtet i Pavarur dhe Sovran, këtë vendim që shpreh vullnetin e shumicës absolute të qytetarëve të Kosovës, e në kohën kur filluan këto negociata e patën pranuar rreth 100 shtete, rezultatet kanë qen të pritshme.
Të pranosh të negociosh si vend pa status të përcaktuar, pas përcaktimit dhe njohjes së statusit nga shumica e shteteve të Botës, ta zëvendësosh Republikën me *fusnotë, të pranosh të negociosh me palën që të cilëson si “institucion i përkohshëm i krahinës jugore të Serbisë”, të pranosh të negociosh për rregullimin e brendshëm të shteti të pavarur me një shtet që nuk e njeh pavarësinë e këtij shteti , është shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është shkelje mbi sakrificën e të gjitha gjeneratave që kanë kontribuar për pavarësinë e Kosovës, është dështim i pa justifikueshëm, është dëm shumë i madh për Kosovën . Ndryshe si mund të kuptohen bisedimet për Urën e Ibrit që gjendet në mes të Kosovës, për asociacionin e komunave serbe në Kosovë, Për Kishat ortodokse të Kosovës, për kodin telefonik të Kosovë s, e për shumë çka tjetër që është e Kosovës, e që nuk do të duhej të bisedohet me fqinjët e aq ma pak me Serbinë e cila çdo ditë hapur po deklaron dhe po punon për shkatërrimin e shtetit të Kosovës.
Rezultat i këtyre negociatave joparimore janë: futja pa pengesa, herë përmes rrugëve legal herë ilegale të mallrave të cilësisë së dyshimtë në tregun e Kosovës për të cilin paguajmë rreth 400 milion euro në vit. Ndërhyrja e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës deri në ultimatumin e fundit në lidhje me “Zajednicën”, ndërhyrjen në emërimin e ministrave Serb në Qeverinë e Kosovës, legalizimin e strukturave paralele, investimet e Serbisë në rikolonizimin e Kosovës (rasti i Luginës së Diellit), “ndërtimin herë të kopshtit ndarës mbi Urën e Ibrit, herë murin përtej urës, pengim i ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve në pjesën veriore, përdorimi i plan-programeve antikushtetuese shkollore në shkollat në gjuhën serbe në Kosovë, arrestimi i shqiptarëve jo vetëm në Serbi por edhe në shtetet e tjera si rasti i fundit i Ramush Haradinajt në Francë. Me këto bisedime ne ja kemi hapur Serbisë rrugën e integrimit në BE, ndërsa Kosova, përkundër koncesioneve të tepruara që ja ka bërë Serbisë, ka mbet e izoluar kryesisht për shkak të pengesave të Serbisë.
Shqiptarët nga këto negociata jo parimore, jo transparente dhe pa vizion, në vend të rezultateve konkrete kanë dëgjuar përralla të bukura të negociatorëve tan që po i përsërisin pa fije turpi me qindra herë, se si Serbia e ka njohur pavarësinë e Kosovës , si po ndodh integrimi i komunitetit serb në Kosovë, si po funksionojnë institucionet e Kosovës në veri, si po ndodh integrimi i Kosovës në institucionet Euro-Atlantike e shumë tregime tjera që nuk janë as pak të vërteta.
Është e koha e fundit që palët negociuse, ndërmjetësuesit dhe qytetarët e Kosovës ta kuptojnë se lëshuarja pe në këtë masë nga përfaqësuesve e Kosovës nuk është e mirë madje as për Serbinë, e lere më për Kosovën e për ndërmjetësuesit evropian që janë të interesuar për stabilitet në këtë rajon, sepse stabilitet nuk mund të ketë kur një shtet ndërhyn në këtë mas që Serbia po ndërhyn në Kosovë.
Prandaj Qeveria e Kosovës duhet menjëherë ta ndaloj importin e mallrave të Serbisë në Kosovë.
T’i ndërpret negociatat deri në momentin kur Serbia do ta njeh Pavarësinë e Kosovës.
Qeveria e Kosovës duhet të vendos embargo ndaj shtetit të Serbisë derisa të arrihet reciprocitet i plotë politik, ekonomik dhe tregtar në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Pas njohjes së pavarësisë dhe pranimit të parimit të reciprocitetit negociatat mund të fillojnë të zhvillohen vetëm mes dy shteteve sovrane dhe të pavarura mbi parimin e reciprocitetit.
Kur kjo të ndodh Serbia do të detyrohet të heqë dorë nga politika e saj hegjemoniste karshi Kosovës. Ajo pas njohjes nuk do të mundet të ndërhy kështu hapur në punët tona të brendshme. Përveç tjerash ajo më kurrë nuk do të arrestoj shqiptar të pafajshëm në Serbi e as nuk do të ngrit urdhër arreste për veprimtarët shqiptar dhe luftëtarët e lirisë, si rasti i Ramush Haradinajt. /2L ONLINE/