Personave që kanë drejt të mbajnë armë zyrtarisht në Kosovë, u janë shtuar edhe rojet e pyllit. Uniformat e gjelbra, tash në duart e tyre kanë edhe armë të zjarrit. E ato nuk janë çfarëdo armësh. Rojet e pyllit do të pajisen me pushkë gjysmautomatike. Agjencia Pyjore e Kosovës me 89 mijë e 310 euro ka blerë 300 armë.
Adil Behramaj, zëdhënës në Ministrinë e Bujqësisë, në kuadër të së cilës është Agjencia Pyjore, konfirmon për ”Tribunën” se agjencia ka filluar pajisjen e rojeve të pyllit me armë. Kjo në bazë të Ligjit për Pyje dhe Ligjit për Pajisje me Armë, Municion dhe Pajisje Përkatëse të Sigurisë për Institucionet e Autorizuara Shtetërore për Siguri, TRANSMETON rtk.
“Pajisja me armë të gjata gjysmautomatike deri më tash u është bërë rojeve të pyllit në komunën e Podujevës dhe të Agjencisë Pyjore që gjenden në vend, me rëndësi të veçantë në Blinajë”, tha Behramaj. “Komunat e tjera janë në proces dhe do të pajisen pasi t”i kompletojnë procedurat dhe dokumentacionin e kërkuar nga Agjencia Pyjore e Kosovës”.