“Sot më është konfirmuar se në mandatin e ardhshëm katër vjeçar, do të jem nënkryetar i Aleancës së të Rinjve të Kosovës (ARK), në nivel nacional. Përkushtimi në punë, vullneti për ti shërbyer të rinjve, bashkëpunimi me strukturat e AAK-së në nivel lokal, janë shtytësit kryesor që sot ARK, Dega në Gjilan të përfaqësohet në nivel nacional me pozitën e nënkryetarit dhe tre anëtarë të kryesisë. Sikurse nga dega e Dardanës dy anëtarë të kryesisë”.
Kështu ka bërë me dije Arlind Vokshi, sipas të cilit skaneri më i mirë e më i saktë i gjendjes ekonomike e politike, shëndetësore e infrastrukturore, arsimore e kulturore, janë të rinjtë.
Ai ka thënë se rinia është ajo që lëvizë gjërat, nxitë procese e debate, dhe prodhon zgjidhje dhe se Aleanca i jep hapësirë të mjaftueshme rinisë, jo duke i marrë në gjirin e saj si fuqi teknike ne kampanja elektorale, por duke iu dhënë përgjegjësi, shtytje për t’i bërë gati për sfidat e së ardhmes, respektivisht për ta udhëhequr vendin.
“Falënderim të posaçëm për kreun e AAK-së në Gjilan, Rexhep Kadriu, fillimisht, dhe kreun e AAK-së, njëherit kryeministrin, Ramush Haradinaj, për krijimin e hapësirës për veprim rinor, dhe mbështetjen e vazhdueshme që dy liderët kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin. Rinia gjen terren të mjaftueshëm në projektin qeverisës të kryeministrit Haradinaj”, ka thënë tutje Vokshi.
Sipas tij, nuk asnjë dyshim, investimi në rini është kryekëput njohje e vetvetes, e të tashmes dhe të ardhmes së vendit. Është investim në vlera evropiane dhe ndërtim i një baze të qëndrueshme mbi të cilën ndërtohet gjithçka shtetërore.
“Duke iu falënderuar secilin të ri për punën dhe kontributin e tij në vazhdimësi, iu bëjë thirrje që të bëhemi edhe më këmbëngulës dhe numerikisht shumë, në mënyrë që edhe rruga të jetë më e shkurt, dhe sfidat të bëhen të padukshme drejt integrimeve evropiane. Dalshim faqebardhë”, ka përfunduar Arlind Vokshi.