Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi ka përgëzuar institucionet e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve që kaluan në një situatë shumë të qetë.
“Në emrin tim personal, administratës komunale dhe të gjithë qytetarëve të komunës së Bujanocit kam nderin të përgëzoj institucionet e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve për balotazh të 1 dhjetorit”, u shpreh kryetari i kësaj komune nga Lugina.
Sipas Arifit nuk ka dyshim se këto ishin zgjedhje mjaft mirë të organizuara me ç’rast Kosova kaloj një test të rëndësishëm të demokracisë.
“Një mbarëvajtje kaq e suksesshme e tërë procesit është edhe një shembull i duhur për vendet e rajonit dhe një tregues i qartë i rrugës evropiane nëpër të cilën po kalon Kosova. Medoemos, falënderim të veçantë meriton edhe populli i Kosovës për kulturën e lartë demokratike të treguar gjatë pjesëmarrjes në votime”, thuhet në urimin e nënshkruar nga kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, transmeton Titulli.
I pari i kësaj komune të gjithë atyre që arritën të dalin fitues më 1 dhjetor u dëshiron suksese në mandatet e tyre duke shpresuar se do t’i realizojnë programet për çka morën edhe besimin e qytetarëve.
“Konsiderojmë se në këto zgjedhje nuk ka humbur askush, ngase ka fituar Kosova dhe ka fituar demokracia”, thuhet ndër të tjera në urim.
Arifi ka uruar edhe kryetarët e rinj të komunave fqinje me Bujanocin, kryetarin e sapo zgjedhur Lutfi Hazirin në Gjilan si dhe Begzad Sinanin në Kamenicë.
“Komuna e Bujanocit si fqinje është jashtëzakonisht e interesuar në vazhdimin e bashkëpunimit dhe në thellimin e tij me komunat tuaja. Besoj se në përpjekjet tona të sinqerta nuk do të na pengojnë as barrierat kufitare e as raportet momentale midis Beogradit e Prishtinës”, porositë Arifi.
Ai thekson se këto komuna lidhen në shumë dimensione, duke nisur nga lidhjet farefisnore e deri në çështjet ekonomike të cilat do të na avancojnë si rajon.
“Ne gjithnjë do të jemi të hapur për ide të reja dhe për çfarëdo forme tjetër të bashkëpunimit qoftë ai ndërkufitar, ndër rajonal e mbi të gjitha vëllazërorë, me të vetmin qëllim që qytetarët tanë të jetojnë më mire”, përfundon urimi i kryetarit të komunës së Bujanocit, Nagip Arifit