Më 29 shtator, zëvendësues Drejtor i Përgjithshëm i AAC-së, Arianit Islami ka mbrojtur me sukses doktoratën në fushën e menaxhimit të trafikut ajror në Universitetin e Aviacionit Civil (ENAC) të Francës.
Disertacioni i tij në temën “Planifikimi i trajektoreve në shkallë të gjerë” trajton ngritjen e kapaciteteve në sistemet e menaxhimit të trafikut ajror (MTA), me metodologji për të trajtuar planifikimin strategjik të trajektoreve të operimit “Trajectory Based Operations (TBO)” duke përcaktuar një trajektore 4D të sigurt për çdo avion.
Z. Islami ka publikuar disa punime shkencore:
- “Large Scale 4D Trajectory Planning” (Planifikimi i Trajektoreve 4D në shkallë të gjerë) i prezantuar në Konferencën e IV të EIWAC për Menaxhimin e Trafikut Ajror në nëntor 2015 në Tokio. Ky punim është përzgjedhur nga publikuesi SPRINGER për publikimin e tij në vitin 2016. (Air Traffic Management and Systems – II, 420, Springer, pp 27-47, 2016, Lecture Notes in Electrical Engineering);
- “Optimization of military missions impact on civilian 4D trajectories” (Optimizimi i ndikimit te misioneve ushtarake në trajektoret civile 4D);
- ”Selective Simulated Annealing for Large Scale Airspace Congestion Mitigation” (Shkrirja Selektive e Simuluar për të zvogëluar ngarkesën e hapësirës ajrore në shkallë të gjerë).
Islami ka magjistruar po ashtu në Francë në fushën e komunikimit, navigimit dhe vëzhgimit të bazuar në satelit, në po të njëjtin Universitet.
Si ekspert i fushës, nga viti 2009 z. Islami është angazhuar si ligjërues i lëndës “Sistemet e Menaxhimit të Sigurisë (SMS)”, fillimisht në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), pastaj edhe si ligjërues në programin “Advanced Master Safety Management in Aviation” në Universitetin e Aviacionit Civil të Francës (ENAC).
Arianit Islami është një profesionist me përvojë të gjerë mbi 20 vjeçare në aviacion dhe ndër kuadrot e para kosovare të përgatitura në këtë fushë deficitare. Prej vitit 1999 ka ushtruar përgjegjësi të ndryshme si zyrtar i lartë në sektorin e aviacionit civil, fillimisht si Inxhinier në Kontrollin e Trafikut Ajror, e që nga viti 2002 në anën e rregullatorit të aviacionit civil ku aktualisht mban pozitën e zëvendësuesit të Drejtorit të Përgjithshëm të AAC.
AAC mburret me profesionistët e këtillë në mesin e saj, thuhet në njoftim. /2LONLINE/